Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq ka bërë të ditur sot në mbledhjen e qeverisë, se Kroacia i ka dërguar Serbisë notë proteste për shkak të sulmit ndaj tre kroatëve në vendin Sonta, në Vojvodinë.
“I bëj thirrje Serbisë që të mbrojë qytetarët e saj të nacionalitetit kroat”, tha ai.
HINA dje informoi se me rastin e incidentit në Sonta ka reaguar Ministria e Jashtme e Kroacisë për shkak të sulmit fizik me motive etnike dhe ka kërkuar informacione në detaje nga pala serbe.
Ambasadorja e Serbisë në Kroaci, Mira Nikoliq, në Ministrinë e Jashtme të këtij vendi ka refuzuar të pranojë notën e protestës.
Ajo informoi bashkëbiseduesit, se bazuar në të gjitha verifikimet dhe intervistat me një numër të madh të dëshmitarëve të mundshëm dhe pjesëmarrësve të ngjarjeve, nga të cilat autoritetet kompetente morën deklarata, u konstatua se motivi i konfliktit të fundit në Sonta nuk ishte përkatësia kombëtare e palës së dëmtuar apo kryerësit.
Diplomatja serbe tha se hapa të tillë të Kroacisë mund të destabilizojnë situatën e qetë në mjediset multietnike në Serbi.
Policia serbe ndërkohë ka bërë të ditur se incidenti nuk ka prapavijë etnike dhe se sulmuesit janë arrestuar.