Prokuroria e Bosnjës ka ngritur aktakuzë kundër Tomisllav Kovaçit, ministër i Brendshëm i Republikës Serbe gjatë kohës së luftës.
Aktakuza ka të bëjë me gjenocidin në Srebrenicë, në vitin 1995, njoftoi Prokuroria, transmeton rel.
Kovaç, shtetas edhe i Bosnjës, edhe i Serbisë, akuzohet se në kohën e sulmeve të forcave serbe në zonat e mbrojtura në Srebrenicë dhe Zhepë, si komandant i Shtabit të Policisë, si zëvendësministër dhe si ministër i Brendshëm i Republikës Serbe, ka komanduar dhe mbajtur nën vëzhgim të gjitha forcat e policisë që kanë marrë pjesë në krime kundër boshnjakëve.
Prokuroria e ka interpretuar këtë si kontribut të madh në krime.
Kovaç pas luftës në Bosnje ka ikur në Serbi, ku edhe vazhdon të jetojë.