Zhvillimet e papritura që ndodhën gjatë 2017’tës në Kosovë

Viti 2017 në Kosovë ishte një vit me shumë zhvillime që prekën aspektin e sigurisë, marrëdhëniet rajonale dhe më gjerë, deri te rrëzimi i qeverisë në Kosovë para se ajo ta përfundonte mandatin e plotë kushtetues.

Në ditët e para të janarit të 2017, autoritetet franceze arrestuan njërin prej udhëheqësve politik të Kosovës, Ramush Haradinajn, bazuar në një fletarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Serbisë. Kjo nxiti reagime të ashpra dhe protesta në  Kosovë. Ky arrestim ishte i papranueshëm për autoritetet në Prishtinë.

“Ndalimi i zotit Haradinaj nga autoritetet franceze është bazuar në një fletarrest të Serbisë të vitit 2004 që për ne është i papranueshëm. Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, MPJ ka nisur notat verbale nëpërmjet Ambasadës tonë në Paris dhe vetë ministri Hoxhaj është marrë personalisht për të shfrytëzuar të gjitha rrugët diplomatike që Haradinaj të lirohet sa më parë”, thuhej në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Nuk ishte hera e parë që Ramush Haradinaj, arrestohej në bazë të fletarresteve të lëshuara nga Serbia e që zbatohen nga Interpoli. Ramush Haradinaj, nga Serbia akuzohet për krime lufte. Ramush  Haradinaj në vitin 2012  u shpall i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Krime lufte në ish-Jugosllavi, për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë.

Tensione në veri

Në kohën që Ramush Haradinaj, mbahej në paraburgim në Francë, në qytetin e Mitrovicës u ngritën tensionet për një zhvillim tjetër të papritur mbi urën e Lumit Ibër, që ndan qytetin në dy pjesë. Serbët e veriut ndërtojnë një mur ndarës të qytetit, duke thënë se për qëllim kanë ndërtimin e një shëtitoreje. Ndërtimi i murit të lartë dy metra nga serbët lokal në pjesën veriore të urës mbi lumin Ibër, ngriti tensionet ndërmjet Prishtinës zyrtare, serbëve të veriut dhe Beogradit. Serbët e veriut thanë se muri ishte pjesë e ndërtimit të një shëtitoreje, ndërsa, qeveria  në Prishtinë e cilësoi ilegal dhe që pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja anët. Qeveria mori vendim për rrënimin e murit. Ndërmjetës në këtë mes u bë sërish Bashkimi Evropian, duke detyruar autoritetet lokale të veriut që ta rrënojnë murin, për ta ndërtuar një më të vogël dhe që vërtetë do të shërbente për një park qyteti që mori emrin parku i paqes.

“Gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e zyrës së Bashkimit Evropian si dhe të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, janë pajtuar që të zgjidhet çështja, e cila lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore. Kjo zgjidhje do të ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një mjedis të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës”, thuhej në deklaratën e qeverisë së Kosovës që udhëhiqej nga Isa Mustafa.

Demarkacioni i pazgjidhur

Përderisa në Mitrovicë u ulën tensionet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, në Prishtinë çështja e demarkacionit me Malin e Zi, thellonte ndarjet ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Opozita pretendonte se me një marrëveshje që bëri komisioni për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova po humb mbi 8200 hektar tokë. Kjo kundërshtohej nga qeveria e Isa Mustafës.

Dy udhëheqësit kryesorë politik në Kosovë, kryetari i kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa, megjithatë paralajmëronin se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi do të procedohet në kuvend për ratifikim, sepse e njejta marrëveshje ishte ratifikuar nga Mali i Zi. Ratifikimi i demarkacionit që kërkohej edhe nga SHBA, ishte kushti i fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Kryeministri Mustafa dhe zëvendës-ndihmës sekretari amerikan, Hoyt Yee, kanë biseduar për procesin e ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës të Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi dhe nevojën që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejtë, si konfirmim i rrugës evropiane të Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit, Isa Mustafa. Ky i fundit duke e ditur që nuk i ka votat e mjaftueshme prej dy të tretave të Kuvendit që ta ratifikoje demarkacionin, asnjëherë nuk e procedoi në kuvend. Pas këtyre zhvillimeve filluan përçarjet brenda koalicionit qeverisës që në atë kohë përbëhej nga PDK dhe LDK. Me nënshkrimet e deputetëve të opozitës, qeveria e Isa Mustafës u hodh në votëbesim dhe me 78 vota kundër, kuvendi rrëzoi qeverinë e Kosovës duke i hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Mustafa, u iniciua nga partitë politike opozitare, por, në  seancë u mbështet edhe nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që ishte partnere e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) që udhëhoqi me qeverinë.

Zgjedhje të reja

Partitë politike opozitare duke arsyetuar paraqitjen e mocionit  për rrëzimin e qeverisë së Isa Mustafës, para deputetëve prezantuan një varg argumentesh, që sipas tyre “pse kjo qeveri duhej rrëzuar”. “Mosfunksionimi i legjislativit dhe ekzekutivit dhe mungesa e vendimmarrjes në interes të vendit, marrëveshja e asociacionit të komunave me shumicë serbe që rezultoi që është shkelur kushtetuta, demarkacioni që i humb territor Kosovës, mosfunksionimi dhe ngecja në liberalizim, moszhvillimi ekonomik, ikja e mbi 200 mijë qytetarëve të Kosovës, papunësia e madhe dhe shumë ngecje të tjera. Konsiderojmë që e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e lira dhe të parakohshme dhe demokratike”, tha Valdete Bajrami, deputete e NISMA  për Kosovën, duke lexuar mocionin e opozitës.

Kryeministri Isa Mustafa, nga ana e tij, mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë që ai e udhëhoqi, e quajti “pamflet politik pa asnjë bazë argumentuese”. “Dobësitë dhe keqpërdorimet që janë krijuar nga qeverisjet e kaluara t’i mveshen kësaj qeverie, kjo është sjellje e papranueshme. Vlerësoj se peticioni për rrëzimin e qeverisë ka për pasojë destabilizimin e vendit, përmes krijimit e mosbesimit në institucione dhe vakumin institucional, sikundër që ka për qëllim fshehjen e aferave korruptive që janë krijuar nga qeveritë e kaluara”, arsyetohej Isa Mustafa.

Vështirësi në krijimin e qeverisë

Pas rrëzimit të qeverisë Mustafa, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kuvendin e Kosovës që do të mbaheshin me 11 qershor. Para zgjedhjeve u krijuan koalicione dhe vendi u nda në dy kampe, koalicioni PAN që përbëhej nga PDK, AAK dhe Nisma dhe në anën tjetër LDK dhe AKR. Lëvizja Vetëvendosja garonte e vetme në zgjedhje. Zgjedhjet u mbajtën pa ndonjë incident me 11 qershor dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare. Koalicioni PAN, fitoi  34 % të votave, dhe siguroi 39  vende në parlament. Lëvizja Vetëvendosje e cila garoi e vetme në zgjedhje fitoi 27 %, duke siguruar kështu 32 vende. Ndërsa, koalicioni LAA që përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Kosovës e Re (AKR ) dhe Alternativa, fitoi 25.7 % të votave, duke siguruar 29 vende  në parlament. 20 vende  ishin të garantuara për pakicat, ku 10 vende janë fituar nga  përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që fituan mbi 5% të votave. Pjesëmarrja në votime ishte 41.30%.

Pas kësaj periudhe, me vështirësi të mëdha për shkak të numrit të vogël të votave në parlament, vetëm 61 Ramush Haradinaj zgjidhet kryeministër i Kosovës. Bashkimi Evropian, i kërkoi qeverisë së Kosovës që ta vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe  krimit të organizuar, duke e rikujtuar serish  që duhet të ecet përpara edhe në ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi dhe dialogun me Serbinë.

“Formimi i institucioneve në Kosovë, pas disa javë paqartësish politike, është një hap shumë i rëndësishëm. Kosova përballet me sfida të vështira, duke përfshirë korrupsionin dhe sundimin e dobët të ligjit, papunësi të lartë dhe performancë të dobët në sistemin arsimor. Këto janë pengesa serioze për zhvillimin e ekonomisë, për të tërhequr investime të qëndrueshme dhe për të krijuar mundësi punësimi. BE-ja dëshiron që Kosova të ketë sukses, dhe u bënë thirrje politikanëve të fokusohen në këto çështje të përditshme me rëndësi për njerëzit”.

“BE-ja e nxit qeverinë e sapoformuar të fillojë menjëherë të punojë për forcimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave të nevojshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e ekonomisë, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Agjendën e Reformave Evropiane, dhe marrëveshjeve tjera përkatëse mes BE-së e Kosovës. Është shumë e rëndësishme që udhëheqësit politikë t’i marrin seriozisht këto sfida dhe të veprojnë në mënyrë efektive në interesin më të mirë të popullit të Kosovës. Ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë parësore për forcimin e sundimit të ligjit, përmes një reforme të sistemit gjyqësor në përputhje me standardet më të mira evropiane”, thuhej ne deklaratën e BE-së.

Dialogu me Serbinë kishte ngecur për një periudhë për shkak të zhvillimeve dhe zgjedhjeve në Kosovë e Serbi, mirëpo, që nga BE-ja vazhdimisht kërkohej zbatimi i marrëveshjeve të mëhershme. Një e tillë dhe e cilësuar shumë e rëndësishme marrëveshja për drejtësinë tashmë gjen zbatim.

Miratimi i 40 gjyqtarëve dhe 13 prokurorëve

Në praninë e shumë ambasadorëve perëndimorë dhe shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Presidenti i vendit Hashim Thaçi dekretoi 40 gjyqtar dhe 13 prokurorë shumica, nga ta serb që do të punojnë në veri të Kosovës. Me këtë dekretim, shënohet edhe fillimi i zbatimit të marrëveshjes së drejtësisë për veriun e Kosovës, marrëveshje kjo e nënshkruar në shkurt të vitit 2015 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Presidenti Thaçi, në ceremoninë e dekretimit tha se “Gjyqtarët dhe prokurorët kanë rol të madh në jetën e qytetarëve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi”.

“Kosova është ndërtuar mbi parimet kushtetuese, të gjithë përfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së secilit individ. Kosova ka miratuar masa adekuate për të promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore”, tha Presidenti Thaçi, duke kërkuar nga gjyqtarët dhe prokurorët që do të punojnë në veri që të jenë profesional.

“Mirëpres gatishmërinë tuaj për t’u integruar në gjyqësorin e Kosovës dhe për të punuar në përputhje me legjislacionin e Kosovës. Po ashtu, mirëpres gatishmërinë e juaj se funksionin e gjyqtarit, respektivisht të prokurorit, do ta ushtroni me nder, përgjegjësi dhe paanshmëri, duke respektuar rregullat e etikës profesionale”, tha Presidenti Hashim Thaçi.

Përderisa dialogu me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve nisi serish, në skenën politike kosovare serish aktualizohet çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Kryeministri Ramush Haradinaj,  që në ditët e para të qeverisjes së tij shkarkoi komisionin e qeverisë së kaluar dhe emëroi një komision tjetër, paralajmëronte se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Presidenti Hashim Thaci, e quan kauzë të rrejshme pretendimin që Kosova humb territor me marrëveshjen aktuale të demarkacionit.

Presidenti  Hashim Thaçi e ka vënë në dyshim punën e komisionit të ri për demarkacionin të emëruar nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe shfaqej tejet i nervozuar me një deklaratë të kryetarit të komisionit të ri për demarkacionin me Malin e Zi, Shpetim Bulliqi, i cili tha se “komisioni ka mbledhur prova të mjaftueshme që dëshmojnë se Kosova ka humbur territor me versionin aktual të demarkacionit”.

Kjo deklaratë e zemëroi Presidentin Thaçi, i cili vazhdon të besojë se marrëveshja e nënshkruar nga ai në vitin 2015 e cila e përcakton vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është në rregull. “Zhurmëkotët e zakonshëm, të cilët për më shumë se dy vjet shkaktojnë konfuzion, jo më larg se dje, iu rikthyen zanatit të tyre. Ata përsëri arritën që me lehtësi, duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta, të manipulojnë mediet dhe nëpërmjet tyre opinionin publik. Kështu, këta individë e ushqejnë sagën e tyre me trillime, të cilat plasohen tek opinioni publik, i cili, si gjithmonë e pëson më së shumti jo vetëm për shkak se vazhdojnë të dëgjojnë të njëjtën zhurmë, por edhe sepse mungesa e përgjegjësisë shtetërore për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdon t’i mbajë qytetarët dhe shtetin e Kosovës të izoluar”, shkruan në profilin e tij, Presidenti Hashim Thaçi.

Marrëveshja e demarkacionit tashmë është proceduar në kuvend për herë të parë nga kryeministri Ramush Haradinaj me qëllimin që kuvendi ta rrëzojë versionin aktual të demarkacionit ne mënyrë që siç pretendon Haradinaj Kosovës t’i hapet rruga për bisedime të reja me Malin e Zi.  Mali i Zi thotë se çështjen e demarkacionit me Kosovën nuk do ta diskutojë më.

Tension i ri – Gjykata Speciale

Në fund të vitit 2017, për të shkaktuar një tension të pashembullt ndërmjet qeverisë dhe pranisë ndërkombëtare në Kosovë, pa asnjë paralajmërim, 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale për krime lufte, ligj ky i miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

Menjëherë ambasadorët e vendeve të QUINT-it, reagojnë ashpër ndaj kësaj përpjekje të deputetëve të kuvendit. Madje ambasadori amerikan Greg Delawie tërheq vërejtjen se me këtë veprim deputetët mund ta izolojë edhe më shumë Kosovën. “Më duhet të them se jam vërtet i dëshpëruar që kjo doli nga asgjëkundi gjatë disa ditëve të fundit. Pa debat publik, për një çështje me interes thelbësor për qytetarët e Kosovës. Është e turpshme nga pikëpamja ime. Këto përpjekje, nëse kanë sukses, do të kenë ndikime të thella negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës. Kjo do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si një thikë pas shpine. Kosova do të zgjedhë izolimin në vend të bashkëpunimit dhe më duhet të them se do të urrenim kthimin e orës prapa për Kosovën në përparimin e saj deri këtu. Mbështetja ndërkombëtare për Kosovën është ndërtuar mbi idenë që Kosova do të merret me drejtësi me individët që kanë kryer krime lufte. Lëkundja nga ky angazhim do të ketë ndikime jashtëzakonisht negative për Kosovën, për qytetarët e saj dhe për marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara”,thuhet në deklaratën e ambasadorit amerikan Delawie.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, i cili thotë se “Gjykata Speciale është pjesë e rëndësishme e sundimit të ligjit në Kosovë”. “Angazhimi në sundimin e ligjit është një gur themel për zhvillimin e Kosovës. Dhomat e Specializuara janë pjesë e rëndësishme e sundimit të ligjit të Kosovës. Çdo përpjekje për të ndryshuar këtë ligj mund ta vendosë Kosovën prapa në kursin e saj Euro-Atlantik dhe të dëmtojë marrëdhëniet me miqtë e saj më të afërt”, tha ambasadori gjerman Kristian Heldt. Sidoqoftë, mundësia që me një seancë të jashtëzakonshme kuvendi ta shfuqizojë ligjin për Gjykatën Speciale akoma nuk ka përfunduar. Kuvendi i Kosovës është në pushim dimëror deri me 15 janar,  dhe nisma e deputetëve me nënshkrime vazhdon të qëndrojë në sirtarët e kuvendit.

Në fund të vitit 2017, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në urimin e tij drejtuar qytetarëve, thotë “uroj që të gjithë së bashku të gjejmë energjinë që të përballemi me të gjitha këto tema të rëndësishme. Nga dita e fundit e vitit që lëmë pas, në ditën e parë të vitit të ri, jemi të njëjtit njerëz, me po të njëjtin fat, me të njëjtat mundësi e sfida para vetes”./DW

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme