Vendimi i Thaçit për amnisti – në mes të shkeljes e efektit zinxhiror

Vendimi i të parit të shtetit, Hashim Thaçi – për të liruar nga burgu tre të dënuar shqiptarë në procesin e njohur si “rasti Kiçina”, si dhe një serb – ka ngjallur reagime.

Thaçi ka liruar me dekret, Arben Kiçinën, Arsim Ramadanin dhe Burim Ramadanin. Ata ishin në burg për më shumë se 15 vjet.

Një veprim të tillë, disa e shohin jo të duhur, pasi lirimi i tyre mund të ketë efekt zinxhiror, shkruan Koha.net.

Në adresë të Thaçit vetëm se kanë nisur të shkojnë thirrje të tjera publike për të liruar figura të larta të ish-UÇK-së. OVL e UÇK-së sot i kërkoi Thaçit që të lirojë nga burgu Sylejman Selimin, i dënuar për rastin “Drenica” dhe Azem Sylën i dyshuar për krim të organizuar.

Ekspertët ligjorë, nga ana tjetër kanë treguar për portalin Koha.net, se ku është limiti i të drejtës së presidentit për të falur të burgosurit.

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një prononcim për Koha.net tha se shpreson që ky veprim të jetë marrë në baza ligjore. Ka thënë se megjithatë nuk ka shumë informacione rreth rastit Kiçina.

“Për këtë rast kam dëgjuar edhe më herët, nuk e di saktë nëse ka përfunduar në afate ligjore”, tha shkurt Sejdiu për Koha.net, pa dashur që të japë më shumë komente.

“Nuk dua të paragjykoj askënd e as veprimin e Thaçit”, tha ai.

Reagimet pas vendimit

Vendimin e Thaçit e ka cilësuar si aspak të drejtë, shkrimtari e publicisti Veton Surroi. Ai tha se presidenti mund ta ketë bërë faljen e tre burrave nga rasti Kiçina, vetëm në emër të vet, por jo si i pari i vendit. Ka kujtuar rastin se nga vrasja mbetën të vdekura edhe një tre dhe një nëntë vjeçe.

“Adelina Hajra tre vjeçe dhe Mimoza Hajra nëntë vjeçe u vranë më 20 gusht 2001 në Drenas. Të dënuarit për vrasjen e vajzave u falën nga Hashim Thaçi, ushtrues i detyrës së presidentit të Kosovës. Ai mund ta ketë bërë në emër të vetin, jo në emër timin si qytetar i Kosovës”, ka shkruar Surroi, transmeton Koha.net.

Nga ana tjetër, pati edhe prej tyre që e mirëpritën këtë vendim. Deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina, ka thënë se ata janë akuzuar padrejtësisht dhe është e lumtur që të amnistuarit tani janë në liri.

“Presidenti paska amnistuar të akuzuarit për rastin Kiçina, të cilët padrejtësisht janë akuzuar dhe dënuar për një krim që ata nuk e kanë kryer. Është mirë që këta djem janë të lirë sot dhe janë kthyer pranë familjeve të tyre por është për keqardhje që ata nuk janë liruar nga gjykata si të pafajshëm e jo të falen për një faj që nuk e kanë. Dua të besoj se drejtësia edhe për këtë rast do të triumfoj dhe vrasësit e vërtetë të marrin dënimin e merituar kurse të akuzuarit e deritashëm të shpallen të pafajshëm”, ka shkruar Pantina, transmeton Koha.net.

Por Betim Musliu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka konsideruar se vrasja e familjes Hajra është makabre dhe se të dënuarit në fakt meritojnë dënim të përjetshëm.

“Rasti Kiçina është një prej rasteve më të komentuara të vendimeve gjyqësore prej shpalljes së aktgjykimit. Së pari duhet theksuar se akti i vrasjes së familjes Hajra, përkatësisht fëmijëve të kësaj familje është vrasje makabre, e cila në gjykimin tim personal, meriton dënim të përjetshëm. Së dyti, procesi gjyqësor në rastin Hajra dhe administrimi i tij lë shumë për të dëshiruar në aspektin e zbatimit të drejtë të ligjit, duke bindur publikun se gjykimi është bazuar në administrimin e provave dhe dëshmive”, tha Musliu për Koha.net.

Sipas Musliut, aktgjykimi në këtë rast është komentuar edhe nga akterë të sistemit të drejtësisë dhe profesionistë që janë praktikues të zbatimit të ligjit si aktgjykim i dështuar në aspektin e përmbushjes së obligimeve ligjore, duke përmbledhur dhe argumentuar provat dhe dëshmitë, mbi të cilat shpallet fajësia dhe shqiptohet dënimi.

“Sidoqoftë, ekziston një aktgjykim i formës së prerë dhe ai duhet të zbatohet, ndërsa për çdo defekt të tij duhet të ndiqen vetëm rrugët ligjore, të cilat në këtë rast kanë munguar që të shfrytëzohen rrugët dhe mjetet ligjore në Strasburg, mekanizëm ky i pa qasshëm nga qytetarët e Kosovës. Përderisa ekziston kjo situatë, aktgjykimi ka vetëm një rrugë, zbatimin e tij”, tha ai.

Presidenti shkel kriteret e Ligjit për Falje

Në ligjin numër 03/L-094, për presidentin e Kosovës, thuhet se dekreti për shpallje të faljes është i mundur, pra presidenti i Kosovës, e ka mundësinë që të falë të dënuarit për vrasje, shkruan Koha.net.

Por Musliu thotë se një gjë e tillë varet nga pesha e krimit që ka kryer personi në fjalë e që në këtë rast nuk u zbatua.

“Dekreti për falje i Presidentit Thaçi mund të interpretohet në disa mënyra. Bazuar në gjithë këto dilema të ngritura në aktgjykimin e rastit Kiçina, në parim duket se presidenti ka bërë përpjekje për të sanuar gjithë atë që pretendohet se është bërë si e padrejtë në rastin e tyre. Gjithashtu në aspektin formal ligjor, vepra penale e vrasjes në parim në mënyrë eksplicite nuk ndalohet që të falet nga Presidenti. Ligji për Falje në Republikën e Kosovës ndalon vetëm faljen e personave të dënuar në bazë të Kreut XIII apo Kreut XIV të Kodit Penal të Kosovës, për veprën penale kundër Kosovës apo qytetarëve të saj apo kundër të drejtës ndërkombëtare. Në këtë kuadër nuk hyn vepra penale e vrasjes për të cilën janë dënuar të gjithë në rastin Kiçina. Në anën tjetër, edhe pse kjo vepër lejohet që të falet, Ligji për Falje i ka përcaktuar kriteret, të cilat mund të merren parasysh me rastin e faljes, të cilat janë: pesha e krimit; rreziku i recidivizmit; pendimi i sinqertë dhe shfaqja e sjelljeve dhe karakterit të respektueshëm. Në këtë drejtim, sërish duhet analizuar konteksti i këtij rasti”, tha ai.

Sipas Musliut, të falurit e Thaçit janë të dënuar për një vrasje mizore të një familje ku ka pasur edhe fëmijë. Nëse bazohet dekreti në aspektin formal të këtij dënimi, Presidenti është dashur t’i respektojë kriteret ligjore, duke përfshi peshën e krimit dhe pendimin e sinqertë.

“Të dy këto kritere në këtë rast nuk janë respektuar sepse pesha e krimit është ndër veprat më të rënda penale të vrasjeve mizore, ndërsa aspekti i pendimit të sinqertë nuk ka ndodhur asnjëherë, sepse të dënuarit pretendojnë pafajësinë e tyre në këtë rast. Pra, në këtë gjykim, vlerësoj se është bërë shkelje e kritereve të Ligjit për Falje me rastin e shpalljes së këtij dekreti”, tha Musliu.

Musliu tha se nëse analizohen të gjithë faktorët e tjerë të rastit Kiçina atëherë ka një kontekst tjetër të këtij rasti të gjykuar, duke pasur parasysh përmbajtjen e aktgjykimit, provat dhe dëshmitë, të cilat lënë shumë hapësirë për të komentuar mbi fajësinë e personave të dënuar.

“Sidoqoftë, përderisa ka një aktgjykim të formës së prerë të gjykatës, ai duhet të respektohet dhe korrektimi i tij duhet të bëhet ekskluzivisht përmes rrugëve ligjore. Fatkeqësisht, është pikërisht Presidenti Thaçi dhe kjo elitë politike që e kanë ngecur Kosovën në këtë stad ku gjendet tash, ku vetëm një elitë ka përfituar çdo gjë, ndërsa qytetarët e Republikës së Kosovës, vazhdojnë të mbesin pa mirëqenie, pa liberalizim të vizave, pa perspektivë të qartë dhe pa qasje në drejtësi në mekanizmat ndërkombëtarë. Sikur ecja e shtetit të Kosovës do të ishte me hapa normal, tash Kosova do të kishte qenë pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë të qasjes në drejtësi, siç është Gjykata e Strasburgut, në të cilën rasti Kiçina dhe të dënuarit, do t’i ofronin për shqyrtim të gjitha pretendimet për pafajësinë e tyre, të cilat çdo ditë i publikojnë në media”, tha ai.

Por Musliu thotë se faljen që bëri Thaçi, fillimisht nisi nga dy ish-presidentët e Kosovës, Fatmir Sejdiu e Jakup Krasniqi, që ishte drejtues detyre për një kohë kur Kushtetuesja e rrëzoi Sejdiun për shkak se kishte mbajtur përveç postit të presidentit edhe atë të LDK-së.

Ai thotë se të dy në mandatet e tyre kanë falur persona të dënuar në kundërshtim me kriteret e Ligjit për falje.

“IKD vlerëson se falja e të dënuarve është keqpërdorur skajshmërisht nga dy ish-presidentët, Fatmir Sejdiu dhe Jakup Krasniqi. Të dy këta ish-presidentë kanë falur të dënuar në kundërshtim me kriteret e Ligjit për Falje. Nëse do të rikthehet kjo kohë nga presidenti Thaçi atëherë kjo do të përbënte një rrezik për sigurinë juridike dhe fizike të qytetarëve të Kosovës, për shkak se shoqëria investon që përmes sistemit të drejtësisë, personat që kryejnë krime, ti izolojë nga shoqëria për të eliminuar rreziqet prej tyre dhe nëse këto kategori pa meritë dhe në kundërshtim me ligjin falen, atëherë kjo përbën shqetësim serioz për sigurinë tonë juridike dhe fizike”, tha ai.

Për këtë, Musliu tha se arsye të tilla kanë bërë që IKD të insistojë që të ketë veting të policëve, prokurorëve dhe gjykatësve, në mënyrë që ky pushtet gjyqësor të garantojë siguri juridike për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Efekti zinxhir i vendimit të Thaçit e klimë anti-ndërkombëtare

Njësoj edhe Valmir Ismaili nga organizata joqeveritare Demokraci Plus, për Koha.net tha se amnistinë e Thaçit e vlerëson si jo të drejtë, madje thotë se falja e të dënuarve të rastit Kiçina, mund të ketë efekte zinxhirore.

“Me Kushtetutë dhe ligj, presidenti ka të drejtë të bëjë falje të të dënuarve për vepra penale. Megjithatë, rasti i përzgjedhur nga presidenti është paksa më specifik dhe më shumë duket të jetë në kuadër të këtyre lëvizjeve të fundit të z. Thaçi që tentojnë të krijojnë një lloj klime anti-ndërkombëtare në Kosovë. E them këtë duke i parë lëvizjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe duke pasur parasysh që rasti Kiçina është një prej rasteve më të komplikuara që janë trajtuar nga EULEX”, tha Ismaili.

Ismaili shtoi se këto veprime të Thaçit dhe eksponentëve tjerë po tentojnë të dërgojnë një mesazh që funksionalizimi i Gjykatës Speciale mund të sjell destabilizim por edhe krijim të frymës që faktori ndërkombëtar është kundër UÇK-së, gjë që nuk është e vërtetë.

Edhe Ismaili thotë se rastin e tillë me të cilin u mor edhe Kushtetuesja, e duke u bazuar në peshën e krimit që kanë bërë, ata nuk do të duhej të faleshin nga presidenti.

“Rasti Kiçina ka qenë një ndër më të komplikuarit pas lufte në Kosovë, madje është trajtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese. Prandaj, duke e pasur parasysh edhe peshën e krimit, presidenti nuk do të duhej të falte këta persona. Nëse presidenti apo kushdo tjetër ka fakte që personat e dënuar janë të pafajshëm, do të duhej të ndiqnin rrugë tjera për ta vërtetuar pafajësinë e tyre”, shtoi.

“Patjetër, tani më gjithsecili pa marrë parasysh llojin e veprës penale mund të kërkojë amnisti nga presidenti pasi që veç ka një precedent tash. Qëllimi i Ligjit për Falje nuk është ky, ai ka për qëllim që t’u ofrojë mundësi një kategorie të caktuar të të dënuarve por jo edhe rasteve të tilla si ky që ka përdorur presidenti” përfundoi Ismaili.

Kujtojmë se sot OVL e UÇK-së në kuadër të ndarjes së mirënjohjeve për gratë ish-ushtare, në “Ditën e Veteranit”, e shfrytëzoi rastin që të bëjë thirrje drejt presidentit Thaçi e kryeministrit Haradinaj që të lirohen “Sulltani” e “Daja”.

“Unë i kisha bërë edhe një ftesë publike Presidentit, kryeministrit, kryetarit të parlamentit që ta marrin edhe një hap për lirimin e dy komandantëve që po mbahen padrejtësisht në burg, Sylejman Selimi dhe Azem Syla. Kështu që kërkojmë prej tyre që këtë hap ta marrin qysh nesër”, ka thënë Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Familja pesë anëtarëshe e Hamëz Hajrës, ishte vrarë në veturë nga një breshëri e armëve automatike, në gusht të vitit 2001. Gjykatat e të gjitha instancave që nga viti 2003 deri në vitin 2012 kanë gjetur fajtor Burim e Arsim Ramadanin dhe Arben, Blerim e Jeton Kiçinën për këtë vrasje.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme