Më shumë se 10 milionë litra alkool konsumuan kosovarët për një vit

Qytetarët e Kosovës për një vit pinë më shumë se 10 milionë litra alkool.

Ndonëse sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë mbi 95 për qind janë deklaruar se i takojnë fesë islame, e cila e ndalon rreptësisht përdorimin e alkoolit po del se kur është fjala te alkooli qytetarët e Kosovës s’i respektojnë aq normat fetare.

Por asgjë mangu nuk e lënë edhe sa i përket pirjes së duhanit.

Sipas statistikave nga Dogana e Kosovës vetëm në vitin 2017 Kosova ka importuar deri në 3 mijë tonë duhan.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për KosovaPress se importi i rakisë brenda vitit 2017 ka arritur mbi tetë milionë litra, ndërkohë që llogaritet të jenë diku një milionë litra verë dhe raki edhe nga prodhimtaria vendore.

Për këto produkte të pijeve alkoolike dhe të duhanit, të cilat konsiderohen luks, Dogana e Kosovës ka mbledhur rreth 400 milionë euro të hyra brenda vitit prej taksës së akcizës, në të cilën shumë bënë pjesë edhe akciza për automjetet.

“Sipas statistikave tona rreth dy milionë litra importohen alkoole të forta, derisa verëra importohen shtatë deri tetë milionë litra… Pak a shumë është trend i njëjtë, sepse ka vite që është trend i njëjtë të importit si të birrës si të alkooleve të forta dhe në pesë vjetorin e fundit nuk kemi ndonjë lëvizje në sasi. Akciza është një taksë e cila brenda vitit është një sasi e konsiderueshme dhe mund të themi që rreth 400 milionë euro mbledhin brenda vitit prej taksës së akcizës”, ka thënë Stavileci.

Në mallrat që konsiderohen si luks nuk hynë edhe kafja e cila sipas Stavilecit, tash konsiderohet se bën pjesë në mallrat ushqyese.

Por nga statistikat e importit shihet se konsumimi i kafes nga qytetarët e Kosovës arrin deri në 8 milionë kilogramë në vit

Stavileci tha se pjesa më e madhe e kafes është e papjekur, brenda një viti importi total i kafesë është shtatë deri 8 milionë kilogram, ndërsa vetëm kafe e pjekur, e gatshme për shitje është 1.2 milionë kilogram.

“Edhe kafeja është një produkt, i cili ka një import mjaft të madh, pjesa më e madhe e importit të kafes është kafe e pa pjekur, brenda një viti importi total i kafesë mbërrin rreth shtatë deri tetë milionë kilogram. Viteve të fundit kemi pasur një mesatare prej 2 mijë e 700 deri në 3 mijë tonë, kurse edhe në këtë vit jemi brenda këtij parametri, ku janë importuar deri më tani 2 mijë e 700 ton duhan”, ka thënë ai.

Se qejfin nuk ia prishin vetes edhe pse janë myslimanë e dëshmon edhe një qytetar i cili ka folur për KosovaPress.

Hamëz Rama i cili është prezantuar haptas se konsumon alkoolin tha se është mysliman por pi raki në masë të caktuar.

“Raki konsumojë nga njëherë si aperitiv, meqenëse jam konsumues i verës. Jam mysliman, nuk hy aty se ndalohet apo nuk ndalohet, unë e pi me ushqim në sasi ta caktuara, absolutisht”, ka thënë Rama.

Edhe prodhuesit e verës kanë treguar se në Kosovë ka kërkesa për konsumim të rakisë dhe verës.

Labinot Shulina anëtar i Shoqatës së Verëtarëve të Kosovës dhe prodhues i rakisë dhe verës ‘Sefa Vine” në Rahovec ka thënë se prodhimtaria e Kosovës llogaritet të jetë 100 mijë litra raki, ndërsa mbi gjysmë milionë litra verëra. Ai tregoi se ka të interesuar për konsum të verës edhe pse Kosova konsiderohet vend i varfër.

“Ka interesim, mirëpo për këto produkte ndikojnë edhe kushtet financiare, Kosova është akoma një vend i varfër dhe rakia shitet pak më tepër, mirëpo tani ka filluar tendenca, ka filluar kultura e konsumimit të verërave dhe verërat e Kosovës kanë filluar me u shit pak më mirë dhe verërat më të shtrenjta shiten në tregjet, ku shtresa e njerëzve kanë më shumë mjetet financiare për t’i blerë ato”, ka thënë Shulina.

Disa qytetarë të cilët nuk janë prononcuar para kamerës kanë thënë se konsumojnë pije alkoolike në raste të caktuara, për festa ose në ndonjë aheng, ndërsa pati edhe të atillë të cilët thanë se nuk janë konsumues të pijeve alkoolike.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme