Duro Shehu, vëllai i ish-kryeministrit të vetëvrarë në rrethana të dyshimta, jeton prej vitesh në Kanada.
Qysh nga koha kur është sistemuar aty, çdo 18 dhjetor pret vizita në nderim të vëllait, që ndërroi jetë në dhjetorin e largët të vitit 1981.
Pavarësisht se atje larg janë të paktë në numër miqtë dhe shokët e tij, ai ndihet mirë që bashkë me ta risjellin detaje të ndryshme nga historia e Mehmetit dhe tragjedisë së tij.
Duro Shehu shprehet se e ka peng të madh që nuk mori pjesë në varrimin e tij, i detyruar me urdhër të formës së prerë nga ish-ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu. Ai nuk e harron për asnjë moment takimin me këtë të fundit, natën e mortit në zyrën e tij.
“Ishin çastet e rënda kur sa kisha marrë vesh lajmin e zi dhe kërkova të takohesha me Kadriun”, kujton vëllai i ish-Kryeministrit më jetëgjatë të regjimit komunist. “Kadriu, deri atëherë, ishte një nga miqtë më të afërt të Mehmetit dhe mendoja se do më sqaronte me dashamirësi, por çuditërisht, këtë radhë takova një Kadri tjetër”, shton Shehu i ngazëllyer.
“Dëgjo Duro, më tha, ke ardhur për problemin e Mehmetit. Ai vrau veten për atë vajzën e Turdiut”. “Tani, m’u drejtua, lajmëro vëllezërit dhe shkoni në shtëpi, te xhenazja. U thuaj se Partia nuk do ta varrosë. Është vetëvrarë, e kjo do të thotë tradhti. Pastaj, me ato që ka bërë, mund të dalë se ka qenë armik”.
Desha t’i kërkoja diçka më shumë, por ishte e kotë. Atë çast, Kadriu u çua në këmbë, hoqi syzet dhe m’u drejtua përmbledhtazi: ‘Është urdhër. Kështu duhet bërë! Mirupafshim!’”. Në largim e sipër, më tha që unë, si komunist dhe kuadër me përgjegjësi, nuk duhej të merrja pjesë në varrimin, që do të bëhej të nesërmen’”.
Ndër momentet më dramatike të asaj ngjarjeje të rëndë, Shehu veçon detajet nga nata e mortit në shtëpinë e Mehmetit, ku bashkë me 12 familjarët e tij, ishin dhe 40 oficerë sigurimi, që e gdhinë te trupi i pajetë në vilën kryeministrore të rrethuar me autoblinda dhe pushkatarë të maskuar si në gjendje lufte. Po çfarë kujton tjetër vëllai i Kryeministrit, që u gjet i vdekur në dhomën e tij mbrëmjen e 18 dhjetorit ’81…
Zoti Duro, ju jeni vëllai i Mehmet Shehut, në çfarë rrethanash e morët vesh lajmin e vetëvrasjes së tij?
Duro Shehu: Ajo ishte një gjëmë e paralajmëruar dhe si e tillë pritej, pavarësisht se në çfarë forme do të ndodhte. Mehmet Shehu ishte kryqëzuar qysh më herët. Së paku ne, familjarët e tij, kishim kohë që e dinim. E dinim që midis tij dhe Enver Hoxhës kishte ndodhur një plasaritje e pariparueshme. Shumëkush nga ish-bashkëpunëtorët e Mehmetit thoshte që kjo vinte nga fejesa e Skënderit, djalit të tij, me një vajzë me biografi të keqe. Po kjo ishte thjesht një gjetje për të justifikuar thelbin e konfliktit. Mehmet Shehu ishte shënjuar direkt nga Enveri për t’u sakrifikuar. Dhe kjo që pritej ndodhi…
Pra, ju e prisnit që me të do të ndodhte diçka…
Duro Shehu: Unë në atë kohë isha në krye të Komandës së Aviacionit. Diçka ndieja nga ftohtësia e eprorëve dhe kolegëve. Kjo, sidomos pas Kongresit të Partisë në nëntorin e atij viti, ku Mehmeti kishte rënë në sy për vrazhdësinë me të cilën ishte shfaqur në krah të Enverit në tribunë. Pastaj, në rrethin e ngushtë të familjarëve dhe miqve flisnim më shkoqur për shkaqet e vërteta të tragjedisë që pritej. E dinim që po të të vinte në rreth Enver Hoxha, nuk shpëtoje gjallë. E kam përjetuar shumë keq këtë histori. Ca më tepër që në atë periudhë nuk ndodhesha në Shqipëri, se kurohesha jashtë shtetit.
Ju ndodheshit jashtë shtetit kur vrau veten Mehmet Shehu?
Duro Shehu:Jo, kisha vetëm dy ditë që isha kthyer nga Austria.
Kuroheshit në Austri…
Duro Shehu: Kisha shkuar aty nga fundi i tetorit 1981. Pra, në kulmin e konfliktit midis Enverit dhe Mehmetit, që edhe pse i rezervohej opinionit, përflitej gjithkund në mjediset e zyrtarëve partiakë. E ndeva këtë edhe në Vjenë, madje që në takimin e parë me personelin e Ambasadës që më priti ftohtë. Acari i marrëdhënieve të tronditura në Tiranë kishte mbërritur edhe atje. Diplomatët, për natyrën e punës që kryejnë, me sa duket ishin njoftuar për këtë histori të pazakontë. Se bëhej fjalë për përplasjen e numrit Një me numrin Dy të regjimit. Me ambasadorin Musin Kroi dhe sekretarin e parë të Ambasadës Engjëll Koloneci, pinjoll i familjes së Teki Kolonecit, krushkut të Enver Hoxhës, isha njohur dhe më parë dhe kisha pasur raporte të mira, po me sa duket këtë radhë ata ishin futur në njëlloj sikleti. E kuptoja shumë mirë pozicionin e tyre dhe mundohesha që të kisha kontakte sa më të pakta, jo vetëm për t’i ruajtur, por edhe për t’i shpëtuar syrit të njerëzve të Sigurimit, që më gjurmonin ngado nëpër Vjenë. Se të them të drejtën kam pasur jo pak provokime nga njerëzit e këtij kallëpi.
Ju kanë provokuar njerëzit e Sigurimit në Vjenë?
Duro Shehu: Ata më kanë gjurmuar këmba-këmbës gjatë gjithë kohës që qëndrova aty. Po nuk kanë munguar dhe provokimet nga sejmenët e tyre…
Kur thoni ju kanë provokuar, çfarë keni parasysh?
Duro Shehu: Më kanë ndodhur ngjarje nga më befasueset gjatë qëndrimit në Vjenë. Ngjarje që inicioheshin nga profesionistët e zbulimit sekret. Mjafton t’ju kujtoj një të tillë për të kuptuar sjelljen misterioze të këtyre njerëzve që dirigjoheshin nga zbulimi politik i Tiranës. Më 29 nëntor 1981, Ambasada jonë atje organizoi një pritje me rastin e festës së çlirimit. Si zakonisht, në të tilla evente ishin ftuar diplomatë të akredituar në Vjenë, miq të Shqipërisë dhe bashkëkombas që jetonin atje. Njëri nga punonjësit e Ambasadës më njoftoi dhe mua të merrja pjesë. Fillimisht hezitova, por këmbëngulja e tjetrit më bindi dhe shkova. Shkova, por më doli ajo që nuk e prisja.
Një çast, gjatë ceremonisë, teksa qëndroja me familjarët e personelit të Ambasadës, m’u drejtua një burrë shtatlartë me mustaqe. Si u përshëndetëm, më pyeti për Mehmetin. “Si e kemi Kryeministrin me shëndet, se kemi dëgjuar që ka qenë sëmurë?”.
Aty për aty u mundova të dredhoja, duke i thënë se më kishte ngatërruar me ndonjë tjetër. “A s’jeni ju Duro Shehu, vëllai i Kryeministrit?!”, ma ktheu ai me një shqipe të pastër të dialektit kosovar. Mbeta ngushtë dhe nuk dija çfarë të bëja.
Në rrëmujë e sipër u largova pa rënë në sy. Tërë natën nuk e vura syrin në gjumë. Çfarë ishte ky kosovari që interesohej për shëndetin e Mehmetit. Të nesërmen pyeta një shok të Ambasadës se kush ishte ai kosovari që u takua me mua. Ai më tregoi se është një mik i mirë nga Kosova që kishte ardhur bashkë me vëllain nga Gjermania. Kjo ngjarje e papëlqyeshme më bëri që të kërkoja kthimin në Tiranë, mirëpo zyrtarët tanë atje më detyruan të vijoja kurimin. Ashtu bëra. Në Tiranë u ktheva më 15 dhjetor 1981. Gjatë gjithë udhëtimit jam ndjekur nga afër nga njerëzit e policisë sekrete…
Mehmeti, që e ndiqte nga afër gjendjen time shëndetësore, më telefonoi sa u futa në shtëpi. Bile nuk kisha hequr akoma pallton. Më pyeti si isha me shëndet, si kishte kaluar udhëtimi. E sqarova për çdo gjë dhe i thashë se të nesërmen do të shkoja ta takoja. Jo, më tha aty për aty, dhe më sqaroi se do të vinin tek unë në shtëpi Fiqreti dhe fëmijët për të më takuar.
Kjo ishte telefonata e fundit me të? Dallove gjë në zërin e tij?
Duro Shehu: Kjo ishte telefonata e fundit. Nuk më shkonte mendja se nuk do ta dëgjoja më. Nga zëri m’u duk i qetë. Bile-bile më la të kuptoja se nuk përjetonte ndonjë shqetësim nga ato që flisnim ne në rrethe të ngushta të besuarish për fatin e tij. Pastaj erdhi dita e tragjedisë.
Kush jua dha lajmin e kobshëm?
Duro Shehu: Ah, atë ditë, atë çast e kam në sy si tani. Lajmin e tragjedisë ma dha Veli Llaka, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ishte ditë e premte, 18 dhjetor 1981. Ora aty te 15-ta. Sa isha kthyer nga zyra dhe po drekoja në shtëpi me gruan dhe vajzat. Një moment ra telefoni dhe u çova me një parandjenjë të keqe. Nga krahu tjetër i receptorit Veliu më njoftoi telegrafisht, me një zë të pazakontë, se Mehmet Shehu kishte vrarë veten. Ngriva në vend dhe nuk dija ç’të bëja. Gruaja, që me sa duket diçka kuptoi apo dëgjoi, m’u afrua pranë dhe më pyeti për çfarë kishte ngjarë. I thashë se kishte vrarë veten Mehmeti. E vranë, thuaj më mirë, më tha në dënesë e sipër. U çuan me lot në sy edhe vajzat dhe vinin vërdallë nëpër dhomë. Lajmi ishte i rëndë. Nuk dija çfarë të bëja. Aty për aty u afrova prapë te telefoni dhe kërkova Veli Llakën për të ma sqaruar më mirë lajmin që më kishte dhënë pak çaste më parë. “Të lutem, -i thashë, -më ndihmo të takohem me Kadri Hazbiun”, që ishte ministër i Mbrojtjes. Veliu, si u mendua një çast, më tha se do të mundohej të komunikonte me të dhe do më kthente përgjigje. Prita afër një orë me sy e vesh nga telefoni. Ma ndjente zemra se kontakti me Kadri Hazbinë do të më orientonte për shumë gjëra. Më në fund, Veliu më telefonoi dhe më tha se shoku ministër më priste në zyrë. U nisa me një frymë. Kadri Hazbiu që do të takoja kishte qenë një nga miqtë më të afërt të Mehmetit dhe familjes sonë. Fakti që pranoi të më takonte, më shtynte të mendoja se do sqarohesha me dashamirësi prej tij. Po, çuditërisht, këtë radhë do të takoja një Kadri tjetër…
Çfarë kujtoni nga takimi me Kadri Hazbinë natën e tragjedisë?
Duro Shehu: Sa shkova në Ministri, u paraqita te zyra e tij. M’u desh të prisja rreth një orë në paradhomë për t’u takuar me Kadrinë. Pa u përshëndetur mirë, ai m’u drejtua me një breshëri fjalësh që më tronditën dhe më shumë nga lajmi që kishim marrë disa orë më parë. “Dëgjo Duro, më tha, ke ardhur për problemin e Mehmetit. Ai vrau veten për çështjen e asaj vajzës, të fejuarës së Skënderit, për atë vajzën e Turdiut”. Aty për aty, gati pa vetëdije, i thashë se nuk dinim gjë përse bëhej fjalë, po Kadriu, që mesa dukej nuk fliste vetëm në emër të tij, kaloi nga momentet e sqarimit për atë që kishte ndodhur, te porositë zyrtare për atë që duhej të bënim ne familjarët pas këtyre çasteve. Me sa dukej ishte porositur hollë nga zyrtarët e lartë të Komitetit Qendror. “Tani, -më tha, -lajmëro vëllezërit dhe shkoni në shtëpi, te xhenazja. U thuaj se Partia nuk do ta varrosë. Është vetëvrarë, e kjo do të thotë tradhti. Pastaj, me ato që ka bërë për atë fejesën, mund të dalë se ka qenë armik”. Këmbëngula për t’i kërkuar edhe diçka tjetër, me bindjen që tek ai, pavarësisht këtyre rrethanave, nuk mund të ishte fshirë çdo gjë nga lidhjet shpirtërore me Mehmetin, por ishte e kotë. Atë çast Kadriu u çua në këmbë, hoqi syzat dhe m’u drejtua përmbledhtazi: “Është urdhër. Kështu duhet bërë! Mirupafshim!”. Në largim e sipër më tha që unë, si komunist dhe kuadër me përgjegjësi, nuk duhej të merrja pjesë në varrimin që do të bëhej të nesërmen.
Shkuat ne shtepine e Mehmet Shehut?
Duro Shehu: Lajmërova vëllezërit dhe aty nga mbrëmja u nisëm për te banesa e Mehmetit. E gjithë rruga për aty ishte blinduar me policë e roje të armatosura. Në afërsi të vilës, dy autoblinda të Gardës ishin vënë në pozicion luftimi. Në të gjitha godinat përreth, pushkatarë e roje të armatosura vigjilonin si në momente luftimi. Kaluam mes tyre dhe u gjendëm në banesë. Arkivoli me trupin e pajetë të Mehmetit ishte vendosur në mesin e dhomës së madhe. Anash tij në karrige rrinte e shoqja dhe djemtë. Në shpinë të tyre disa njerëz të panjohur me revole në brez. Një pamje e rëndë, shumë e rëndë, me një heshtje torturuese, kishte pushtuar çdo gjë. Një moment iu afrova Fiqretit dhe e pyeta për çfarë kishte ndodhur. Ajo, në vend që të përgjigjej, zuri veshët me dorë për të më treguar se çdo gjë përgjohej, prandaj s’mund të fliste. U mundova pastaj të mësoja ndonjë gjë nga djali i madh Vladimiri, por edhe prej tij ishte e pamundur të sqarohesha. I zura me radhë të gjithë sa ishin aty, por askush s’ishte në gjendje të më shpjegohej.
Sa veta ishin natën e mortit në shtëpinë e Mehmetit?
Duro Shehu: Në dhomë ku kishin vendosur trupin e Mehmetit ishim ne të shtëpisë. Bëheshim gjithsej 12 vetë. S’bëhej fjalë për të tjerë. Ndërkaq, ishin dhe 30 oficerë të Sigurimit që rrinin në këmbë e përgjonin ne. Pas njëfarë kohe që ishim aty, kërkova përgjegjësin e tyre dhe i thashë “A mund ta shoh ku e ka marrë plumbi Mehmetin?” Në asnjë mënyrë, më thotë prerazi. Qëndro e përgjoje aty. Vetëm kaq. Ndryshe…” Mirë, mirë i thashë për t’i vënë kapak bisedës dhe u ktheva prapë nga Fiqreti, mirëpo nuk zgjati shumë dhe m’u afrua njëri prej vartësve të tij, duke më komunikuar urdhrin më të fundit për të dalë jashtë. U përpoqa të mësoja më shumë për arsyen e largimit, madje i kujtova edhe urdhrin e Kadri Hazbiut për të qëndruar aty, por ishte e kotë. Desha nuk desha u ngrita dhe ika. Ika nëpër natë nën vëzhgimin e dhjetëra oficerëve të Sigurimit që më shoqëruan deri te hyrja e shtëpisë.
Jo, jo, nuk mora pjesë. Kjo është brenga më e madhe e jetës sime. Në takimin e fundit që pata me Kadri Hazbiun ai më urdhëroi që, si kuadër me përgjegjësi dhe komunist, mos të shkoja në ceremoninë mortore. Ndryshe do të kisha pasoja të rënda. Kështu duhej të bëja. Ajo ishte një gjëmë e madhe dhe me mendimin për të shpëtuar çfarë mund të shpë- tonim nga ajo që na kishte zënë, vendosa të mos shkoja…
Tani, pas kaq vitesh nga ajo ngjarje e rëndë, i qëndronin bindjes se Mehmet Shehun e kanë vrarë?
Duro Shehu: Pse, ju akoma e kini në dilemë? Më vjen keq, sidomos për njerëzit e medies, që nuk kanë arritur të shkojnë përtej trillimit të thurur në zyrat e kupolës së regjimit, sipas të cilit Mehmet Shehu vrau veten. Jo, ore, jo, e kam thënë dhe e pohoj fort që Mehmetin e kanë helmuar dhe pastaj e kanë qëlluar me armë për të krijuar alibinë e vetëvrasjes.
E kanë pohuar dhe të tjerë këtë version, por pa fakte konkrete. Pastaj shumë prej tyre çarmatosen sa njihen me letrën e testamentit që ka lënë atë mbrëmje Mehmeti…
Fakte thotë ky.
Keni pyetur ndonjëherë juve për analizat që i janë bërë filxhanit të çajit që ka pirë Mehmet Shehu atë natë? Keni pyetur ju për emrin e punonjëses së shtëpisë që ia ka servirur?
Pse është zhdukur pa gjurmë ajo grua që e kishin sjellë për t’i shërbyer kryeministrit vetëm dy ditë më parë?
Unë për vete kam pyetur. E di kush është ajo grua. E di edhe si është zhdukur pa lënë gjurmë qysh mbrëmjen e 18 dhjetorit 1981. Di shumë gjëra për porositë që i janë dhënë. Sakaq, kam hetuar gjatë edhe për mënyrën si është qëlluar me armë pas helmimit. Ka akoma dëshmitarë të gjallë nga ajo histori. Çuditem pse nuk flasin, po çuditem pse dhe nuk i kërkojnë të dëshmojë. Ose, një fakt tjetër edhe më tronditës. A e dini ju që Llambi Ziçishti, ish-ministër i Shëndetësisë, ka shkuar në plumb vetëm pse ka pohuar: “Nuk jam dakord me aktin e vetëvrasjes. Nuk ka mundësi asnjë zemër të mbajë dy plumba njëherësh, një plumb në zemër i merr jetën në moment njeriut”. Ka, ka me dhjetëra fakte e dëshmi autentike që të çojnë tek e vërteta. /Panorama