Festat e fund-vitit kanë kaluar në atmosferë të qetë dhe pa incidente të theksuara. Kështu deklaroi sot ministri i brendshëm Oliver Spasovski, sipas të cilit për dallim nga vitet e kaluara numri i incidenteve ka shënuar ulje drastike. Meritat për këtë numri një i MPB-së i adresoi tek puna efektive e policisë.
Kemi ulje të veprave penale dhe kundërvajtjeve të cilat kanë ndodhur në ndërrimin e moteve. Për dallim nga vitet tjera, këtë vit rëndësi ka që festa kaloi qetë. Për dallim nga viti 2017 kemi një trend zvogëlimi. Në vitin që lamë pas kemi pas 37 vepra penale dhe 10 kundërvajtjeve, ndërsa këtë vit deri në mëngjes kemi të denoncuara 9 vepra penale dhe 8 kundërvajtje – deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Ndër veprat më të theksuara kanë qenë vjedhjet e rënda dhe grabitjet. Uniformat blu kanë evidentuar edhe prishje të rëndit dhe qetësisë publike.
Veprat penale kryesisht kanë të bëjnë me “vjedhje të rënda” dhe “grabitje”. Është evidentuar edhe “sulm ndaj personit zyrtarë në kryerje të detyrës”, nxitje të rrezikut të përgjithshëm. Ndërkohë vepra kundërvajtëse janë evidentuar kryesisht nga individë të cilët kanë prishur rendin dhe qetësinë publike nëpër objekte hotilerike – tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Duke u bazuar në situatën aktuale, policia do të vazhdojë me kontrolle të shtuara edhe gjatë festave që vijojnë. Ndërkohë në gjendje gatishmërie do të jenë edhe qendrat emergjente dhe ekipet e zjarrfikësve. Ditë më parë, policia ndërmori aksion për arrestimin e personave të kapur në flagrancë gjatë tregtisë me mjete piroteknike dhe konfiskimin e mjeteve të tilla. Alsat-m