Frika nga Gjykata Speciale dhe lufta për kufirin

Siç nisi, viti 2017 po përmbyllet me lajm “bombë” për Gjykatën Speciale.

Në këtë fundvit, liderët kryesorë institucionalë kanë bërë orvatje të shumta për ta jetësuar iniciativën e subjekteve në pushtet që ta shfuqizojnë Ligjin për këtë gjykatë, ani se përfaqësuesit e SHBA-ve e edhe të BE-së alarmonin se një vendim i këtillë do ta izolonte ndërkombëtarisht Kosovën.

Kryesia e Kuvendit ka bërë dy tentativa për të shqyrtuar kërkesën e 43 deputetëve, nënshkrues për seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të paralizohej Specialja. Në mungesë të kuorumit, vendimmarrja në kryesi qe e pamundur. LVV-ja e LDK-ja në opozitë, si dhe Lista Serbe në pushtet, refuzuan të merrnin pjesë në mbledhje, shkruan “Koha Ditore”.

Para këtij zhvillimi, për kreun e shtetit, Hashim Thaçi, dhe për kryeministrin Ramush Haradinaj, gazeta ka raportuar se qëndronin pas një peticioni të organizatave të dala nga lufta, me të cilin kërkohej rrëzimi i Speciales. Vetë kreu i veteranëve të UÇK-së e ka pranuar që, para se të niste mbledhja e nënshkrimeve, ka pasur një proces komunikimi me të gjitha instancat politike, nga të cilat ka siguruar mbështetjen paraprake.

Janari i 2017-s solli një lajm tronditës për presidentin Thaçi – familja Imeri nga Skenderaj e përmendi atë si drejtues të strukturës që ka vrarë menjëherë pas lufte aktivistin e LDK-së, Haki Imerin, të cilin presidenti sivjet e dekoroi me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Pretendimet ishin shprehur në një shkresë adresuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar, institucion ky që është organ i akuzës në kuadër të Gjykatës Speciale.
Familja e kishte bërë këtë denoncim, pasi prej 17 vjetësh organet vendore të drejtësisë nuk e kanë zbardhur vrasjen. Veç kësaj, në organin e akuzës i kanë thënë gazetës se 6 prilli i vitit 2000 është data e fundit kur ka pasur komunikim për këtë rast. Prandaj, shumë familjarë të politikanëve të vrarë gjatë ose menjëherë pas luftës, tash po i mbajnë shpresat tek Haga, ku Specialja e ka selinë.

Gjatë verës, Dhomat e Specializuara, të cilat përbëjnë Gjykatën e Speciales, janë funksionalizuar plotësisht. Nga fillimi i korrikut ato kanë qenë në gjendje të marrin parashtrime dhe të nisnin procedurat gjyqësore, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të paraqiste akuzat, në mënyrë që të shqyrtohen nga gjykatësit.

Është krijuar kjo rrethanë, pasi tek atëherë kishte hyrë në fuqi Rregullorja e procedurës dhe e provave, pa të cilin dokument nuk konsideroheshin të funksionalizuara plotësisht Dhomat e Specializuara. Megjithëkëtë, aktakuza nuk ka pasur deri tash, por se pritet që ato të shpallen në fillimit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme