Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka njoftuar se të gjitha rrugët rajonale dhe ato nacionale në Kosovë janë të kalueshme, edhe pse gjatë orëve të para të mëngjesit ka pasur reshje të borë.
Ai me anë të një postimi në facbeook ka shkruar se në ato rrugë ku ka pasur ngrica është hedhur kryp.
“Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Kosovë ka pasur reshje të borës (me intensitet të ulët), raportet e para nga terreni na tregojnë se të gjitha rrugët rajonale e nacionale të Republikës së Kosovës janë të kalueshme pa problem (në segmentet rrugore ku është vërejtur se ka ngrica dhe lagështi është intervenuar me hedhje krype, poashtu në disa segmente rrugore, në vendet malore, ka patur edhe rrëshqitje të vogla të dheut, të cilat janë sanuar) edhe përkundër se rrugët janë të kalushme, duhet të përshtatet shpejtësia e lëvizjes nga të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion”, ka shkruar Lekaj.
Ai ka njoftuar se edhe rruga për Restelicë (Dragash) është e hapur tërësisht, pasë problemeve që i kishte nga erodimet e gurëve dhe të dheut gjatë ditës së djeshme.