Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës (LSV) lidhur me Deklaratën për mbijetesën e popullit serb, sot ka kumtuar se vendet e rajonit duhet të luftojnë për tërheqjen e investimeve të huaja dhe përmirësimin e standardit të jetës së qytetarëve, ose në të kundërtën, deklaratat për “mbijetesë “ të qytetarëve të Ballkanit do të shpien gjithnjë e më shumë drejt Vjenës, Berlinit, Dublinit e Sidneit, transmeton Koha.net.
Kjo parti e Vojvodinës konsideron se Deklarata për mbijetesën e serbëve do të komplikojë edhe më shumë marrëdhëniet në rajon, në mesin e vendeve të ish – Jugosllavisë të cilat, edhe ashtu, janë në këmbë të qelqta e shton se nuk ka nevojë për hedhje të re benzine në zjarrin e këtyre marrëdhënieve, përcjell Koha.net njoftimin nga FoNet.
Në kumtesën e kësaj LSV –së, kryetar i të cilës është Nenad Çanak, vlerësohet se Deklarata është për përdorim të brendshëm, si për pushtetin në Beograd ashtu edhe për pushtetin e entitetit të Republikës Serbe ndërsa shërben për mobilizim nacional.
Është tragjik fakti se nacionalizmi serb nuk ka marrë asnjë mësim nga ngjarjet katastrofale të viteve të 90 –ta, ndërsa ngjashmëria e Deklaratës me Memorandumin e Akademisë së Arteve e të Shkencës të Serbisë është e madhe, ka thënë LSV duke shtuar se këto veprime nacionaliste mund të nxisin efektin domino në rajon edhe për ndonjë deklaratë kroate, boshnjake ose shqiptare.
LSV dëshiron që rajon i të luftojë për tërheqje investimesh, për hapje të vendeve të reja të punës, për përmirësimin e jetës së qytetarëve, ose në të kundërtën vendete rajonit do të mbeten të zbrazëta, ka përfudnuar LSV.
Serbia dhe Republika Serbe, në bashkëpunim me ASHAS, tashmë kanë hartuar tekstin e Deklaratës për mbijetesën e popullit serb dhe miratimi i saj pritet të bëhet në Ditën e shtetësisë Serbisë (Sretenje), më 15 shkurt.
© KOHA.