Prokuroria e kthen Nazim Sahitin në “të dyshuar” për rrahjen ndaj Mustafës

Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka kthyer në të dyshuar drejtorin e njësisë për Krime Ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti, i cili u përfshi në një përleshje fizike ndaj drejtorit të PTK-së, Agron Mustafa.

Koha Ditore merr vesh se prokuroria e ka kthyer drejtuesin e lartë në Policinë e Kosovës nga dëshmitari i rastit në të dyshuar.

“Shefit të Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti, të amnistuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, më në fund i është ndërruar cilësimi juridik nga Prokuroria. Nazim Sahiti nga dëshmitari është kthyer në person të dyshuar pas shikimit të incizimeve nga Prokuroria”, thonë burime të Kohës Ditore brenda Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Sipas këtyre burimeve, ka pasur një sfidë të madhe për të proceduar me rastin për shkak të presioneve të vazhdueshme në trajtimin e këtij rasti bazuar në përfshirjen e profilit të menaxhmentit të lartë të Krimeve Ekonomike.

Koha.net ka provuar të enjten pasdite që të kontaktojë me prokuroren e rastit, Rukije Shasivari, por ajo nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Koha Ditore ka raportuar se një DVD e një lokali në afërsi të vendit, ku zyrtarë policorë kanë rrahur drejtorin e Postës dhe Telekomit të Kosovës nuk është ekzaminuar fare nga Inspektorati Policor i Kosovës kur kanë vendosur që të suspendojnë policin Avni Berisha i njohur si “Tarkani”, ndërsa “ta amnistojnë” shefin e Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti.

Por e njëjta video ka bërë që prokurorja e rastit ta ndryshojë cilësimin për drejtorin e PTK-së, Agron Mustafa nga i “dyshuari” në “viktimë”. Videoja, siç ka mësuar gazeta, ndër të tjera ka sqaruar se Agron Mustafa nuk e ka sulmuar policin me nofkën “Tarkani”. Se Mustafa e ka sulmuar “Tarkanin” ka thënë Sahiti në deklaratën e dhënë në hetuesi.

Ngjarja kishte ndodhur të shtunën e 30 dhjetorit të vitit 2017, te vendi i njohur si “Kafet e Vogla”.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme