Kabineti qeveritar është mbledhur sot pasdite në mbledhjen e parë për këtë vit. Në mbledhjen e Qeverisë janë aprovuar disa vendime të prezantuar nga ministrat e kabinetit Haradinaj.
Në mbledhje është shqyrtuar plani i veprimit për rritjen e punësimit të të rinjve 2018 – 2022. Këtë projektligj e ka prezantuar ministri i MPMS-së Skënder Reçica i cili tha se objektiv i planit është rritja e punësimit të të rinjve dhe është paraparë një kosto mbi 17 milionë euro ku prej tyre janë paraparë të jenë mbi 2 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Qeveria ka aprovuar nismën për lidhjen e marrëveshjes në fushën e Shëndetësisë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Japonisë, të cilin e ka paraqitur ministri Uran Ismajli dhe është aprovuar nga Qeveria.
Qeveria po ashtu ka miratuar propozim- vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimi i i rrugës nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë, segmenti Milloshevë -Vushtrri, zona kadastrale Stanovc i Epërm, komuna e Vushtrrisë.
Qeveria po ashtu aprovoi Nismën për Lidhjen e Marrëveshjes për Shërbime të Transportit Ajror në mes Kosovës dhe Mbretërisë së së Bashkuar të Anglisë, Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut.
Në mbledhje të Qeverisë ministri i FSK-së Rrustem Berisha propozoi për nxjerrjen e një vendimi nga presidenti për një marrëveshje financiare ndërmjet Kosovës dhe Turqisë e cila mori përkrahjen e kabinetit qeveritar.
Zëvëndëskryeministri Behgjet Pacolli ka njoftuar kabinetin qeveritar për formimin e një Grupi Punues prej 11 anëtarësh që të përgatisë planin e veprimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ai ka thënë se janë në vazhdën e përpjekjeve dhe punëve për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar lart këtë proces për Këshillin e Evropës dhe për Interpol. Ai po ashtu ka paralajmëruar edhe mbajtjen e një mbledhje të Qeverisë së përbashkët me Maqedoninë diku në shkurt./KP/