Ambasadat e huaja në Kosovë tashmë janë shndërruar në vendet me pritjet më të gjata për qytetarët e Kosovës .
Ata për të aplikuar për një vizë së pari duhet të presin me muaj të tërë për një termin, ndërsa për t’u pajisur me të, qytetarëve u kërkohet të kalojnë në procedura të shumta e ndër to edhe grumbullimi i dokumenteve të ndryshme të cilat veq se e vështirësojnë pajisjen me vizën shengen. Qytetarët të cilët sot kanë pritur para ambasadës së Zvicrës thonë se kanë pak shpresa se do të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave.
E përveq qytetarëve të cilët përballen me vështirësi për të marrë qoftë edhe një vizë turistike, shqetësuese mbetet edhe gjendja e përfaqësuesve të bizneseve sa i përket pajisjes me viza shengen.
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka ka potencuar se mosliberalizimi po vazhdon të jetë një ndër problemet kryesore e të bërit biznes në vendet e BE-së. Ai thotë se pavarësisht se përfaqësues të bizneseve të mëdha janë tatimpagues të rregullt e serioz ata detyrohen t’i ndjekin të gjitha procedurat burokratike të ambasadave për të marrë një vizë.
Sipas Zekës edhe në rast se përfaqësuesit e tyre pajisen me viza ata e marrin për nje periudhe shumë të shkurtër kohore.
Zeka ka theksuar se kanë bërë kërkese të vazhdueshme tek Qeveria që të marrë rolin e garantuesit për sigurimin e vizave për bizneset e mëdha për kohë më të gjata por asnjëherë nuk ka pasur ndonjë rezlutat në këtë drejtim./rtk