Kur dhe nga mund të shkoj Shpend Ahmeti. Në prehër të Kurtit apo të Molliqajt?

Shpend Ahmeti sot e ka momentin e fundit për t’u rreshtuar. Aktualisht ai po merr pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Vetëvendosjes, e cila po zhvillohet në ditën kur përfundon afati për kandidaturë për kryetar të Vetëvendosjes. Ahmetit do t’i duhet të vendosë nëse do të mbtetet ushtar i Albin Kurtit, apo t’i bashkohet krahut të Molliqajt aty ku besohet se përket. Analisti Imer Mushkolaj thotë se largimi i Shpendit nga Vetëvendosja është çështje ditësh.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nëse matën forcat me vota të marra e me pushtet, është sfiduesi më i madh i Albin Kurtit. Rrjedhimisht i pari i Prishtinës shihet edhe si njeriu me ambiciet më të mëdha për të udhëhequr, pas Kurtit. Neutraliteti i Ahmetit përgjatë përcarjeve në VV nga analistët shihet si kalkulim, që fundi të mos e nxjerrë atë humbës, edhe nëse qëndron në VV apo jep dorëheqje bashkë me grupin që besohet se i takon.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se Shpend Ahmetit i ka ardhur dita kur ai do të bëjë të ditur pozicionimin e tij. Kjo do të bëhet vetëm publike formalisht sepse, sipas Mushkolajt, i pari i Prishtinës e ka ndarë mendjen me kohë. Ai është një nga kundërshtuesit e Kurtit bashkë me Visarin, Dardanin, Dardanin tjetër, Fisnikun e shumë të tjerëve që dhanë dorëheqje.

“Heshtja e tij nuk besoj që ka me zgjatë edhe shumë. Besoj që ditëve të ardhshme ai do të tregoj pozicionimin e tij”, ka thënë analisti për Gazetën Express.

Por, pse Shpendi nuk tha asgjë edhe kur të gjithë përmenden emrin e tij?

Mushkolaj thotë se Ahmetit mund t’i jetë dukur më e dobishme të mos flas, por presioni ndaj tij po rritet dhe mbetët ta qartësojë qëndrimin e tij, që analisti beson që do të jetë dorëheqja.

“Kurdo qoftë që do të ndodhë Shpend Ahmeti do t’i bashkohet grupit të të dorëhequrve të Vetëvendosjes” thotë ai.

Ndërsa, analisti tjetër, Astrit Gashi, ka thënë sot për Gazetën Express se Ahmeti ka pritur që të pozicionohet kah do t’i bie më mirë. Të rrijë në Vetëvendosje, nëse Albini merr më shumë përkrahje, ose të kalojë ka krahu që pritet të jenë një formacion në një parti të re.

“Shpendi është në një situatë win- win. Nëse rri në VV dhe ajo mbetet e fuqishme, ai qysh tani e ka premtimin se do të jetë lideri pasues i VV’së pas Albinit”.

Ndërsa Gashi thotë se fitore për kryetarin e Prishtinës do të ishte edhe nëse kalon në anën tjetër po që kjo merr me vete shumë anëtarë të VV’së.

“Nëse gjërat rrjedhin ashtu që pjesa më e madhe nga VV e sotme do të lëvizë te Partia e Re, ai edhe atje mund të bëhet kryetar. Shpendi kështu, me heshtjen e mosveprimin e tij, po e bën atë që di ta bëjë më se miri pas viktimizimit, pushteti t’i vijë falas”, thotë Gashi.

E ardhmja e gjithë të tërhequrve të Vetëvendosjes do të jetë një parti e re, sipas analistëve.

Mushkolaj thotë se suksesi i një subjekti të ri, ku do të ishte edhe Shpendi, do të varej nga qasja që do t’i jepej asaj.

“Varet prej qasjes që do ta ndjekin dhe sqarimit të këtij subjekti se nga dallon prej Vetëvendosjes. Nga kjo do të varet edhe sa përkrahje do të marrin. Nëse janë ndarë për shkaqe ideologjike, varet shumë se cila do të jetë ideja e re”.

Nga ana tjetër, ai thotë se Albin Kurti do të mbetet në Vetëvendosje vetëm me pjesën ‘radikale’ të partisë.

“Kurti do të mbetët vetëm një numër i njerëzve që janë shprehur më të ashpër në ndjekjen e vijës së Vetëvendosjes, por shumica e figurave që i njohim e janë votuar do të largohen”, ka thënë Mushkolaj.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme