Autor: Abdulla Mehmeti
Sot, ndjeni pak shtrëngime në kraharor, plogështi dhe lodhje; e nesër, do të ndjeheni si në dhomë gazi, plotësisht të ngulfatur, por do të jetë vonë për të ndërmarrë diçka!
Sot, pritni vetëm disa dhjetëra dhe qindra prej jush para dyerve të spitalit, e nesër, nuk do të ketë spitale të mjaftueshme për t’u dalë në ndihmë, që t’i shëroni sëmundjet e shumta që u sjell kjo mortajë prej helmi!
Sot, shihni ndonjë hapësirë të gjelbëruar në oborret tuaja, në fushat e kodrinat përreth; e nesër, gjithçka do t’u duket si në shkretëtirë, me hapësira të pafund rëre, të shkreta, pa jetë e gjallëri!
Sot, i merrni fëmijët në prehër, i përqafoni dhe doni më shumë se jetën tuaj; e nesër, do t’u bie malli të shihni pranë jush fëmijë të gëzuar, do të ëndërroni të përkundni djepa në shtëpitë tuaja, por do të jetë tepër vonë për të ndërmarrë diçka, sepse helmimi i thanë ëndrrat tuaja për lindjen edhe të një fëmije në familjen tuaj!
Sot, jeta zhvillohet normalisht, me pak tensione, shqetësime, nervozë dhe stres; e nesër, nuk do të keni kohë as ta ndjeni mërzinë, lodhjen dhe stresin, duke dëgjuar vetëm piskama njerëzish të dorëzuar para vdekjes, e cila ju merr në heshtje, një nga një!
Sot, këto skena të frikshme mund t’i shikoni vetëm në filma; e nesër, vetë ju do të jeni pjesë e tyre, viktima të pashpresë, pa shansin më të vogël për shpëtim!
Sot, përpiqeni të arrini sa më tepër suksese në jetë, të ndërtoni shtëpi të bukura, të blini makina të shtrenjta, t’i rritni dhe shkolloni fëmijët, të përparoni në punë e karrierë, të filloni ose përparoni bizneset tuaja, të merreni me politikë e veprimtari publike; e nesër, të gjitha këto përpjekje, ëndrra e shpresa, do të jenë të kota, të shumëzuara me zero, vetëm një HIÇ i madh i të arriturave tuaja në jetë!
Mos heshtni o njerëz, helmi nga ,,Jugohromi” vret!