Sakte.net / e Dielë – 02 Tetor 2016 – 15:47
Xhavit Haliti, njëri prej themeluesve të UÇK’së, ka reaguar pas akuzave të Veton Surroit se ushtarët e UÇK’së kishin kapur armët kundër Serbisë dhe në të njëjtën kohë kundër Rugovës dhe LDK’së. Haliti ka thënë se UÇK nuk kishte orientim të tillë por synonte çlirimin e Kosovës. Haliti ka thënë se nëse janë bërë dy tri gabime atëherë nuk do të thotë se krejt UÇK’ja është e tillë.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti i ka mohuar akuzat e ish-liderit të partisë ORA, Veton Surroit. Ky i fundit në një intervistë të dhënë për gazetën “Koha Ditore”, ka thënë se disa prej udhëheqësve të luftës i kishin kapur armët kundër Serbisë aq sa edhe kundër LDK-së.
Haliti i cili ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një prononcim për “Indeksonline”, ka theksuar se disa gjëra të përmendura nga Surroi kanë ndodhë me të vërtet mirëpo interpretimi i tyre nuk është i duhur.
“Ato janë mendimet e tija, shumë gjëra që i ka përmendur vërtet kanë ndodhë por interpretimi lë vend për tu diskutuar. Gjitha këto çështje një ditë do të pasqyrohen, të vërtetat e UÇK-së, ngjarjet që kanë ndodhë brenda dhe jashtë saj”, ka thënë ai.
Sipas tij, nëse disa individë të cilët kanë qenë pjesë e UÇK-së kanë bërë gabime, kjo nuk do të thotë se të gjithë kanë qenë të tillë.
“Mund të them se akuzat që UÇK-ja ka qenë kriminale, në kuptimin e asaj që paska filluar luftën kundër Serbisë aq edhe kundër LDK-së nuk qëndron sepse nuk ka pas një orientim të tillë. Por gabimet mund të jenë bërë dhe në qoftëse janë bërë dy-tri gabime të individëve do të thosha të papërgjegjshëm kushdo qofshin ata, kjo nuk do të thotë se UÇK-ja ka qenë e tillë”, ka përfunduar Haliti.