Një prej depove më të mëdha të drogës në Itali u zbulua në zonën e Bisceglie, të Puglia, nga policia e Barit.
Në vendin e ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan mbi 800 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar marihuanë, një pistoletë, municione si dhe 32 mijë euro.
Ndër të tjera u gjetën edhe katër automjete, dy makina të vogla dhe dy furgonë, të cilat dyshohet se përdoreshin për transportin e drogës.
Gjatë operacionit u arrestuan dy shqiptarë dhe një italian, të cilët u kapën mat teksa po shkëmbenin lëndën narkotike në këmbim të parave.
Depoja e drogës u zbulua gjatë mbrëmjes së të martës, pranë zonës industriale të Bisceglie. Emrat e të arrestuarve nuk bëhen me dije, ndërkohë që hetimet janë në vijim, për kapjen e personave të tjerë të përfshirë.