Mediat e huaja: Vrasja e Ivanoviqit, ekzekutim mafioz – fajtorët, serbë

Vrasja e Oliver Ivanoviqit mbizotëron në mënyrë të pashmangshme lajmet e medias kosovare e asaj serbe.

Beogradi është hedhur në ofensivë duke kërkuar me ngulm të tregojë se ekzekutimi i politikanit të njohur serb në veriun e Kosovës nuk është vepër e një serbi. Këmbënguljes së tij për pjesëmarrje në hetime, Prishtina zyrtare iu përgjigj duke i treguar se do të informohet për çdo të re, por nuk do të përfshihet në hetim.

Sipas kryeministrit Ramush Haradinaj, nëse do të jetë e nevojshme do të kërkohet dhe ndihma e FBI-së. Viktima e parë e kësaj situate u bë dialogu Kosovë-Serbi, i cili, sipas drejtorit të Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, nuk do të vazhdojë deri në momentin që përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë.

Raportet në shtypin kosovar tregojnë se këtë fundjavë ai do të vizitojë Kosovën së bashku me Presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili po ashtu këmbëngul me forcë se agresorët nuk kanë qenë serbë.

Nuk është ky mendimi i gazetarit britanik Tim Judah, njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkan, i cili thotë se qytetarët që jetojnë në Mitrovicë të Veriut besojnë që fajtorët e kësaj vrasjeje të bujshme janë në veri të Kosovës. Gjurmët shkojnë nga veriu, jo nga jugu, shkroi ai në Twitter, duke hequr paralele me vrasjen e gazetarit Slavko Çuruvija në vitin 1999, me shumë gjasë, nga shërbimi sekret serb, raporton TopChannel.

Raporti i autopsisë tregoi se 64-vjeçari Ivanoviq u qëllua për vdekje me gjashtë plumba nga një pistoletë e tipit “Zastava M70A”, prodhim serb. Në katin e dytë të selisë së partisë së tij “Liria, Demokracia, Drejtësia (SDP)” ka qenë e vendosur një kamera sigurie dhe ekspertët do të shohin nëse ajo ka regjistruar momentin e të shtënave.

Shtypi i huaj i bëri jehonë kësaj ngjarjeje, duke u fokusuar tek pasojat që mund të ketë ajo për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkon më tej, duke e cilësuar këtë episod si një “vrasje në bastionin e mafies ballkanike”.

BE-ja dhe NATO-ja ndërkohë presin që në Kosovë të ruhet qetësia pas ngjarjes së ndodhur pikërisht në ditën kur në Bruksel dialogu duhet të rifillonte në nivel ekspertësh.

Me kërkesë të anëtarëve të familjes së tij, Ivanoviq do të varroset të enjten në Beograd.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme