Ishte pjesë e trupit gjykues që në Supreme vërtetoi fajësinë e vëllezërve Ramadani e Kiqina për vrasjen e familjes Hajra, në verën e vitit 2001, por as vetë gjyqtari Fejzullah Hasani nuk beson se të dënuarit me 30 vjet burgim janë kryesit e krimit me 5 viktima, të së njëjtës familje. Ish-kryetari i Gjykatës Supreme është incizuar gjatë një bisede kur thotë se çdokush e ka problem ta bindë veten se të dënuarit kryen krimin. Ai flet për ndikime politike, joprofesionalizëm e degjenerim në aspektin moral të gjyqtarëve të huaj në Kosovë dhe sugjeron rrugët që duhet ndjekur për t’u shfuqizuar një deklaratë e Blerim Kiqinës, ku pranon fajësinë. Express sjell të plotë incizimin në fjalë dhe sqarimin e Hasanit për këtë bisedë
“Unë e di atë rast. Jo unë, po çdo njeri që e merr atje e ka problem për ta bindur veten se është ngjarja ashtu si është e shkruar”.
Këto fjalë i thotë Fejzullah Hasani, ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, institucion që vulosi fajësinë e Burim e Arsim Ramadanit dhe Arben, Jeton e Blerim Kiqinës për vrasjen e Hamëz Hajrës dhe katër pjesëtarëve të familjes së tij, në atentatin e gushtit 2001.
Vetë Hasani, i cili kishte qenë edhe pjesë e trupit gjykues qe vërtetoi në Supreme fajësinë e të dënuarve, që para një muaji u amnistuan nga Presidenti Hashim Thaçi, edhe pse të shpallur fajtorë në një vrasje ku viktima janë edhe fëmijë, nuk i beson aspak gjykimit që kanë bërë katër shkallët e gjyqësisë në Kosovë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese.
“Ne e dimë se si ndërtohen dëshmitarët në Kosovë. Dëshmitarët ndërtohen mbi gjendjen ekonomike. Gjen çfarë të duash, dëshmitarë të rrejshëm”, thotë Hasani në bisedën e incizuar të siguruar nga Gazeta Express.
Hasani e ka fjalën për dëshminë të cilën i dënuari, në këtë rast Blerim Kiqina, e kishte dhënë në Polici, në momentin e arrestimit në vitin 2002. Ai e kishte pranuar vrasjen e pesëfishtë para hetuesve të UNMIK-ut, porse më pas kishte ndërruar të tërë deklaratën e tij. Gjatë gjykimit, i dënuari me 11 vjet burgim kishte thënë se ka dhënë dëshmi të rreme në polici.
“Ai e di edhe vetë se për çka po e thotë atë, ai nuk lodhet për atë punë që e dëmton njeriun, për me dalë nga fukarallëku e mendon se vetë shkon jashtë”, thotë gjyqtari Fejzullah Hasani, në bisedën që është incizuar pa dijeninë e tij, nga një person i afërt me të dënuarit, por që në komunikim me Gazetën Express s’e ka mohuar aspak autenticitetin e saj.
Ai i shpjegon bashkëbiseduesit për proceduat të cilat prokurorët është dashur t’i ndjekin në rastin e dëshmisë së Blerim Kiqinës, për t’u shpallur fajtor për dëshmi të rreme, që, sipas tij, do ta kthente rastin në rishikim të procedurës, për shkak të kredibilitetit të deklaratës së tij.
“Prokurori në momentin që i ka thënë kam rrejt, duhet me fillu procedurë ndaj Blerim Kiqinës. Në momentin që ish shpallë Blerim Kiqina fajtor, s’e ka pas çare gjykatësi pa e hap çështjen. Se krejt aktgjykimi është bazuar në atë provë. S’ka prova tjera”, dëgjohet të thotë Hasani, që tutje pretendon se e vetmja provë e pakontestueshme në rastin e gjykimit të vëllezërve Ramadani e Kiqina është se vrasja e familjes Hajra ka ndodhur.
“Që është vra njeri me tre anëtarë nuk është e kontestueshme. Por kush e ka vra atë, kush e ka bë këtë? E ke një njeri që del thotë e kom ba, tani thotë jo kom rrejt”, vlerëson ish-kryetari i Supremes, në bisedën e incizuar, data e saktë e së cilës nuk dihet.
Rasti “Kiqina” konsiderohet se si një ndër lëndët gjyqësore që ka zgjatur më së shumti në Kosovë, me mbi 100 shqyrtime gjyqësore. Por, sot gjyqtari i Supremes, dikur drejtues i saj, Fejzullah Hasani hedh dyshime të mëdha në profesionalizmin e trupave gjykues që nxorën verdiktet për ta, të udhëhequra e përbëra nga gjyqtarë të huaj, me pjesëmarrës edhe gjyqtarë vendorë.
“Sa i përket anës profesionale unë e kam pa ku janë”, thotë Hasani në incizim.
“I kam pa aty te Limaj”, shton ai, duke iu referuar gjyqit të zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj për krime lufte, apo rastit të njohur si “Kleçka”.
“Ata injorantë, të padijshëm, që s’kanë kurrfarë vlera edhe që janë të degjenerum në aspektin e integritetit moral dhe njerëzor”, fyen Fejzullahu gjyqtarët dhe prokurorët e huaj të vendosur në Kosovë.
Ai përmend një rast, të jetë dëgjuar një gjyqtar në rastin “Kleçka” të ketë thënë: “Pat, s’pat provë, unë nesër kam me ndryshu aktgjykimin dhe kam me çu në burg Fatmir Limajn”.
Në fillim të bisedës, Fejzullah Hasani flet edhe për ndikime politike në rast. Për refleksionin që dënimi ka mundur të ketë karshi faktorëve ndërkombëtarë, por edhe kritikon drejtuesin e atëhershëm të këshillit gjyqësor.
Incizimin Fejzullah Hasani thotë se nuk e ka dëgjuar. Por nuk e mohon se ato janë deklarime të tij. Madje, ai u qëndron prapa atyre që ka thënë në bisedën private të incizuar pa dijeninë e tij.
Ai të enjten, duke folur për Gazetën Express, përmes telefonit, thotë se nuk i kujtohet si ka votuar kur ishte pjesë e trupit gjykues në Gjykatë Supreme, por konsideron se gjyqi për vrasjen e Hamëz Hajrës dhe familjes së tij ka qenë problematik dhe nuk ka pasur prova materiale ndaj të dënuarve, që tash janë në liri pasi u amnistuan nga Presidenti, në prag të Vitit të Ri.
“Është një deklarim i atij djalit i cili ka thënë në polici se këta janë vrasësit, i ka përshkruar këtë, këtë, këtë, por kur vjen në gjykatë dhe prokurori thotë ‘jo’ kam rrejt se më kanë premtuar me më dërgu jashtë”, tha Hasani të enjten.
“Ka qenë proces me dilema shumë të mëdha, me pikëpyetje të mëdha. Se tash ai po thotë po rrej, e kur dikush thotë po rrej prokurori duhet të fillojë procedurë për dëshmi të rrejshme”, mbron deklarimet e tij në incizim, edhe përmes telefonit, gjyqtari kosovar.
Tutje, sikurse në incizim, gjyqtari tregon për mundësitë ligjore për rishikim të procedurës në rastin e vëllezërve Ramadani e Kiqina.
“Rishikimi i procedurës nuk mund të bëhet në bazë të një dëshmie të rrejshme të një dëshmitari, derisa ai dëshmitar nuk është shpallur me vendim të formës së prerë se ai ka rrejt. […] është dashur të zhvillohet procedurë penale që ai të shpallet i fajshëm për dëshminë e rrejshme, e tek atëherë të plotësohen kushtet për rishikim, ndërsa ato kanë dorëzuar kërkesë për rishikim pa u kaluar kjo procedurë”, thotë ai.
Fejzullah Hasani sqaron se ai si kryetar i gjykatës nuk ka mundur të ndikojë që të arrihet zgjidhje për këto pretendime të tij.
“Kot je kryetar, po edhe me qenë kryetar ose anëtar, pa u plotësuar kushtet ligjore, procedura formale, nuk ka këtu, po du me bo këta, ose qishtu, ose ka dilema, duhet të përmbushen kriteret ligjore, nuk janë përmbushur kriteret ligjore dhe kërkesa është refuzuar”, tha Hasani të enjten për Gazetën Express.
Por ai mohon se ka pasur ndikime politike, për dallim se në fillim të bisedës së incizuar pikërisht flet për gjëra të tilla.
“Ja ndikime politike jo, kurrë s’e kam thënë atë dhe nuk besoj as sot se ka ndikime politike”, tha Hasani.
E sa i përket vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të huaj, që në incizimin në fjalë i ofendon ata, Hasani nuk është se as sot ka ndryshuar shumë mendim.
“Ka të dijshëm, ka me pak ekspertizë, pak përvojë, qashtu qysh ka edhe te ne. D.m.th. edhe te ne, ka gjyqtarë që janë më të zhdërvjelltë edhe më i dijshëm ka ekspertizë më të madhe ka më integritet, ka lloj-lloj”, thotë ai.
Një ndër proceset gjyqësore më të gjata në Kosovën e pasluftës, ka nisur pas vrasjes së Hamzë Hajrës dhe familjes së tij nga Shtutica e Drenasit.
Vrasja ka ndodhur më 20 gusht 2001, kur Hamza, polic i Kosovës, bashkë me familje po kthehej nga një dasmë në Baicë.
Atentati ndaj Hajrës, që në rajonin e Drenicës njihej edhe si bashkëpunëtor i regjimit të Millosheviqit, ishte organizuar në një pritë mes fshatit Baicë dhe Gllobarë të Drenasit, pasi ai u largua nga dasma e nipit të tij në lidhje familjare me vëllezërit Kiqina dhe Ramadani, gjithashtu nga Bainca.
Këta të fundit duke mohuar çdo përfshirje të tyre në vrasjen e Hajrës, për të cilin mendohet se ishte duke bashkëpunuar si dëshmitar në Hagë, pretendonin se në ditën kritike ishin larguar nga dasma ku kishin qenë edhe viktimat, për të vazhduar në festën e ditëlindjes së njërit prej të akuzuarve. Ndërkohë, gjykata u ka besuar pohimeve të prokurorisë që “festen e ditëlindjes” e ka cilësuar si vend ku të dënuarit kanë organizuar atentatin. /M.Gj./GazetaExpress/