Pse disa kosovarë po e mbrojnë Erdoganin?

Autor: Halil Matoshi

Duke u shitur si shumë demokrat (në shtëpi i kanë punët llugë!?) disa kosovarë – vërtet shumë sish – po e mbrojnë kinse demokracinë turke nga “grusht shteti në tentativë”, duke e përbuzur kështu shtetin modern turk dhe shoqërinë “alla franga” (shekullare) që e ngriti Mustafa Kemal Ataturk nga rrënojat e Perandorisë Osmane. Madje ata po e mallkojnë grusht shtetin si tendencë për rrënim të demokracisë duke shmangur faktin se pikërisht grushti i shtetit më 1980 i prirë nga gjenerali Kenan Evren (i një origjine të largët kosovare) e ka shpëtuar shtetin turk nga lufta civile dhe nga shpërbërja e shoqërisë turke duke e rikthyer shekullarizmin dhe demokracinë parlamentare…

Argumentimi se kosovarët e duan Recep Tayp Erdoganin, sepse kanë lidhje të shumta familjare me shqiptarët e Turqisë, e posaçërisht me turqit kosovarë, dhe janë të ndikuar prej tyre, bie, ngase ata nuk kanë përfituar asgjë në planin identitar shqiptar nga regjimi i Erdoganit.

Pra, as të drejtën themelore të emërimit të katundeve të tyre, lagjeve e rrugëve në gjuhën shqipe (që kalabrezët e origjinës arbëreshe e kanë në Itali, madje edhe në qytete si Palermo) dhe hiç se hiç të drejtën e shkollimit primar në gjuhën e tyre të origjinës, që etnia turke në Kosovë e gëzon në 65 vjetët e fundit, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e këndej – e sidomos në Kosovën e pavarur. Po ashtu ideja se Erdogani ka lumturuar familjet turke me rritje ekonomike nuk qëndron nëse nuk përmendet “dekada Ozal” ose “reganizmi turk” (ndonëse nuk qëndron nëse nuk përmendet “dekada Ozal”. Se Erdogan ka arritur qe t’i rrisë të ardhurat për capita nga 5000 US & në rreth 11 mijë US $.)

Po cilat mund të jenë arsyet pse shumë kosovarë mbështesin Recep Tayp Erdoganin, i cili është një llaz etnik dhe ka ardhur në pushtet duke e mbështetur islamin politik.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Turqia zë vendin e parë sa u takon investimeve në Kosovë me mbi 290 milionë euro.

Arsyeja e parë për këtë dashuri pa kushte duket të jenë investimet që ngrenë cilësinë e jetës së njerëzve të varfër, sidomos kur dihet se shumica e këtyre parave janë dhënë në dy segmentet e shkatërruara të shoqërisë kosovare, në arsim dhe në shëndetësi.
Porse edhe dhënia e parave në mbrojtjen e monumenteve kulturore dhe ngritjen e xhamive, e veçmas në ngritjen e kapaciteteve njerëzore (sic!), pra në zhvillimin e trajnimeve të ndryshme dhe institucioneve – pa ndonjë kontroll të detajuar të shtetit – ka ndikuar që në njëfarë dore, dashuria e kosovarëve të blihet përmes mercenarizmit.

Ndërkohë që në Kosovë po rriten paralelisht tre nacionalizma latentë:

a.) Nacionalizmi shqiptar, i cili deri para çlirimit të Kosovës ishte defansiv;

b.) Nacionalizmi panturk ose rirreshtimi strategjik për rikthim të ndikimit në Ballkan, me primesa të qarta neootomane (Shih: Davutogllu: “Thellësia strategjike”) dhe

c.) Nacionalizmi panarab (ose nacionalizmi kulturor arab (që manifestohet përmes mënyrës së jetesës, e që në Kosovë dizajnohet si mbështjellës i fesë islame që në fakt nuk është.
Me Erdoganin, Turqia do të hyjë në rrymën që do ta drejtojë nga rruga e tiranisë dhe lufta kundër ISIS-it do të vështirësohet.

Se Erdogan është një tip lideri autoritar dhe i ngjashëm më një Slobodan Milosheviq apo Vladimir Putin flasin faktet:
• E ka mohuar gjenocidin ndaj armenëve;
• Ka përshkallëzuar operacionet luftarake kundër kurdëve;
• E ka luftuar në vazhdimësi ushtrinë që konsiderohet shekullariste dhe properëndimore duke e forcuar policinë dhe repartet e saj luftarake – të armatosura rëndë – (ngjashëm me Milosheviqin gjatë luftërave në Bosnjë dhe pastaj në Kosovë);
• Ia ka përshtatur Kushtetutën e vendit pushtetit të tij personal dhe ekstraktiv (përfitues), ngjashëm me Putinin, i cili pas dy mandateve si kryeministër e ndërroi Kushtetutën për t’u zgjedhur president i Rusisë me kompetenca të fuqishme – derisa ai u zgjodh me votën e drejtpërdrejtë të popullit për president, presidenti i vendit kishte fuqi thjesht ceremoniale.

• Po ashtu duhet rikujtuar se në dhjetor 2013 – antikorrupsioni hetoi më shumë se 50 të dyshuar, përfshirë edhe anëtarë të rrethit të ngushtë të Erdoganit. Pas një muaji hetimesh, qeveria shkarkoi 350 oficerë policie në mes të hetimit. Dhjetë muaj më vonë prokuroria e ndali hetimin.
• Duhet rikujtuar se më 1998 Partia e Mirëqenies e Erdoganit ishte e ndaluar. Erdogan vuajti katër muaj në burg për nxitje të urrejtjes fetare, pasi kishte recituar një poezi të diskutueshme me theks ultrafetar.

• Më 2014, në nëntor, në një takim të organizuar nga grupi i grave në Stamboll, Erdogani thotë se gratë dhe burrat nuk janë të barabartë “, sepse natyra e tyre është e ndryshme.”

• Kjo “qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike” nën lidershipin e Erdoganit, burrit të shpallur “Doctor Honoris Causa” në Universitetin e i Prishtinës më 4 nëntor 2010 dhe “Qytetar Nderi i Prizrenit”, nëntor 2010, është kampione në shkeljen e lirisë së shprehjes, ku në mënyrë rutinore burgos gazetarët dhe disidentët e tjerë, të cilët e gjykojnë të arsyeshme ta kritikojnë atë. Është interesante se si Erdogani ka përdorur mediat sociale për të mbledhur mbështetësit e tij, një medium ky që ai e ka kufizuar shpesh, nëse jo e ka ndaluar të plotë. Më 2014, në mars – pasi Erdogani kërcënon se do ta “zhdukë” “Twitterin” në një miting gjatë fushatës elektorale, Turqia ndalon me dekret qeveritar mediat sociale për dy javë në mbarë vendin.

Nëse grusht shteti ushtarak do të arrinte sukses, kjo do t’i vendoste bazat për zgjedhjen e një qeverie demokratike, shekullariste, e cila do të ishte me të vërtetë proamerikane dhe anti-ISIS dhe do ta shpërbënte sentimentin kuazifetar për këtë organizatë terroriste edhe në rajon, para së gjithash në Kosovë. Nëse në kohën e Ozalit (që e ngriti ekonominë rrufeshëm dhe që i forcoi lidhjet me SHBA-në dhe NATO-n dhe e rriti shekullarizmin e shoqërisë dhe shtetit turk) do të organizohej grusht shteti, këta kosovarë kishin me i duartrokitur.

Ose së paku do t’u bëhej sikur po ndodh diçka në Kinë!???
Dhe si konkludim: Po të ishte kjo Republikë Turke – shumë demokratike – po me një liberal në pushtet si Ozal p.sh., kosovarët s’do të merreshin fare me të. Dhe atëbotë as që janë marrë me Turqinë, madje e konsideronin proserbe!?

Mbahet mend madje kur dramaturgu i ndjerë Teki Dervishi, në një kolumne të botuar në “Zëri” gjatë ’90-ve, e pati cilësuar Turqinë proserbe duke fyer trashëgiminë e saj dhe mënyrën e jetesës, gjë që pati shkaktuar reagimin diplomatik të shtetit turk.
Prandaj kosovarët do të ishte në rregull të mos rreshtoheshin me asnjërën palë në dramën turke.

Fundja është çështje e brendshme e popullit turk.
E nëse dëshironi të jeni pro demokracisë, ju duhej të ishit në anën e atyre që tentuan rrëzimin e një tirani të kamufluar si demokrat dhe besimtar i devotshëm i islamit.

Ju duhej të neveriteshit nga linçi publik, kur turmat egershane u lëshuan si uragan mbi ushtarët e dorëzuar.
Asgjë nuk është më tmerruese sesa linçi publik – i cili në emër te mbrojtjes së autokratit Erdogan që po shndërrohet në diktator (sulltan) – ndodhi në Turqi.
Ushtarët gjithmonë dhe gjithkund janë hallkat e fundit në zinxhirin komandues, pra mund të jenë nën urdhrat e eprorëve – fundja ata janë bijtë e popullit turk dhe si të tillë duhej mbrojtur nga turma e jo t’i nënshtrohen linçit të egër…

Dhe pas këtyre pamjeve dikush në Kosovë flet për demokraci dhe kinse – mbrojtje të saj!?
Demokraci turmash me trurin – muskul!?
Këso pamjesh i dëshiron vetëm ndonjë trushkretë e mendjeuthull në Kosovë dhe Rusia e Putinit, por jo qytetari i edukuar në demokracitë perëndimore!
Lavdia u shkon “puçistëve” edhe pse kanë dështuar – turpi bie mbi ata që i nënshtrohen një regjimi autoritar dhe fort të rrezikshëm, e edhe më mjerim është t’i duartrokasësh atij!

Nuk i kuptoj, s’i kuptoj dhe s’i kuptoj kosovarët që mbështesin Erdoganin, pos atyre që marrin favore direkte nga regjimi i tij.
Kurrë s’i kam kuptuar, e bëjnë këtë nga padija apo mercenarizmi?
Për kosovarët duhej të ishte e rëndësishme ruajtja e jetëve njerëzore të qytetarëve turq, shmangia e luftës civile në Turqi, sepse do të rriste apetitet e ISIS-it dhe do të reflektonte prapësi edhe në rajonin tonë.

Grusht shteti ka dështuar në Turqi, mirëpo ky dështim në hartën sizmike të Turqisë politike shënon tërmet të shkallës më të lartë dhe paraqet fillimin e fundit të Erdoganit.
Dhe ata kosovarë që po fascinohen me mbrojtjen popullore për Erdoganin duhet ta dinë se aleanca mes konservatorëve teokratikë dhe të djathtës ekstreme, me pleqtë dhe përfituesit nga pushteti (qeverisja ekstraktive) funksionon gjithandej, madje edhe në Perëndim.

Këtë e dëshmoi Brexit!
Porse vetëm një ditë – dy pas, vetë ideatori i Brexitit, Johnson, tha se ka gabuar dhe se nuk do të mund t’i përmbushë premtimet që u kishte bërë britanikëve gjatë fushatës pro daljes nga BE-ja!
Nacionalizmi rëndom lidh patriotët dhe fashistët me ekstremistët fetarë, duke e “vrarë” rininë dhe të renë!
Prandaj jam kundër konservatorizmit, ideologjik/politik dhe fetar.
E kuptova më në fund enigmën: Përse shumë kosovarë e mbrojnë Erdoganin!?

Ai është sponsor i akulturimit të Kosovës në kahun e neootomanizmit, pra ai është sponsor i rritjes së hetueshme të konservatorizmit islamik në Kosovë (madje duke e mbështetur qeverisjen e keqe në Kosovë) që po bëhet pengesë e Kosovës rrugës drejt integrimeve në BE dhe NATO!
Pas grusht shtetit në tentativë pritet ai i vërteti: Populli që sot po e mbron, shumë shpejt do t’ia kthejë shpinën. A ju kujtohet mitingu milionësh i në Ushqe në mbrojtje të Milosheviqit?

Dhe fundi i tij i palavdishëm – arrestimi i tij dhe dërgimi në Hagë – nga vetë adhuruesit e tij, policët e tij luajalë në të cilët kishte investuar aq shumë!?
Kjo është logjika e brendshme e dinamikave në politikat e dhunshme gjithandej në botë!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme