Prokuroria Republikane sipas burimeve të televizionit Alsat-M në seancës e radhës që pritet të mbahet të martën mund të vendos për rikualifikimin e lëndës në rastin e Almir Aliut, nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”. Një zhvillim i tillë i mundshëm vjen pas përplasjeve të ashpra mes prokurorëve si në Prokurorinë e Lartë ashtu edhe në Prokurorinë Republikane, ku është diskutuar për këtë rast.
Prokurorët në të dy këto institucione të organit të akuzës janë ndarë në baza etnike, duke shprehur konfrontimet e tyre të ashpra, njëra palë – ajo shqiptare, që për rastin të mbetet kualifikimi si vepër penale “vrasje”, ndërsa pala tjetër e prokurorëve maqedonas që kërkon rikualifikimin e rastit si “aksident me pasojë vdekjen”, që parashikon të paktën 4 vjet burg.
Por, në situatën e mospajtimeve të thella, prokurorët shqiptarë janë mbivotuar nga prokurorët maqedonas.
Nga 10 prokurorë, 4 kanë votuar “kundër” ndërsa 6 të tjerë, përfshi edhe kryeprokurorin, kanë insistuar që në seancën e radhës vepra të rikualifikohet në formën e prerë dhe në gjykim të shkoj si “aksident me pasojë vdekjen e katër vjeçarit Almir Aliu” më 25 qershor të vitit 2016 nga Boban Iliq.
Mospajtime dhe shtyrje të seancave ka pasur edhe para vitit të ri, ndërsa marrja e vendimit herën e fundit ishte shtyrë deri në zgjedhjet e Prokurorit të ri republikan Lubomir Jovevski, për t’i lënë hapësirë edhe atij në shqyrtimin e rastit. Por, në takimin me prokurorin e ri, siç bëhet e ditur për Alsat, edhe Jovevski ka mbajtur anën e grupit që kërkon rikualifikimin e rastit.
Sipas prokurorëve shqiptarë, në rast se lejohet një rikualifikim i veprës, kjo do të ishte një vrasje e dytë për prindërit e katërvjeçarit por edhe një mesazh i keq për gjithë opinionin se gjyqësia në vend ende nuk është vendosur.
Ndryshe, më 1 korrik u bën një vit që kur katërvjeçari nga Kumanova, Almir Aliu ndërroi jetë për tu varrosur ditën e nesërme, më 2 korrik. Kurse rasti i tij ende nuk ka epilog gjyqësor.