QKUK kryen një operacion të rrallë

Në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës një ekip mjekësh gjatë ditës së sotme kanë bërë largimin e cistës në veshkë me metodën laparaskopike.

Sipas kirurgut laparaskopik, Salih Krasniqi operacioni ka shkuar me sukses dhe përparësitë e metodës laparaskopike janë dhimbje më të pakta për pacientin pas operimit.

“Operacioni ka shkuar shumë mirë, çdo gjë ka qenë në rregull si nga ana e anesteziologjisë po ashtu edhe nga ana e kirurgjisë, kështu që për neve është i suksesshëm dhe presim që nesër të shkojë në shtëpi, është një paciente e vjetër 74 vjeçare. Përparësitë janë se nuk hapet abdomeni. U krye me katër vrima të vogla 10 milimetërshe, dy dhe dy pesë milimetërshe dhe pamja është shumë më e mirë. Operacioni është i njëjtë sikurse me kirurgji të hapur për pacientin. Është përparësi se menjëherë pas disa orësh ngrihet në këmbë, kurse ditën e nesërme shkon në shtëpi”, tha ai.

Krasniqi tha për KosovaPress se operacione të tilla në këtë klinikë janë kryer edhe herë të tjera, dhe se do vazhdojnë bashkëpunimin me Klinikën e Urologjisë për këto ndërhyrje.

Ndërsa, urologu Destan Kryeziu tha se gjatë ditës së sotme te pacientja 74-vjeçare është bërë largimi i murit të cistës përmes metodës laparaskopike, me anë të të cilës pacientja do ta përballojë më lehtë operimin.

“Kjo qasje që e bëmë tek kjo paciente ishte transperotonuale, domethënë prej abdomenit janë futur me instrumente me vrima shumë të vogla dhe duke u larguar nga zorrët është arritur deri te cista në regjionin se ku prezantohet cista. Është bërë hapja dhe largimi i murit të cistës dhe përparësia e këtij operacioni është se pacientja e përballon shumë më lehtë si metodën operative gjithashtu edhe kohën post operative. Ajo është e gatshme nesër të lirohet në shtëpi çfarë nuk do të kishte ndodhur me një operacion të hapur”, tha ai.

Kryeziu po ashtu bëri të ditur se ky lloj operacioni nuk mund të kryhet në Kliniken Urologjike për shkak të mungesës së mjeteve laparaskopike.

Largimi i cistave në veshkë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në numër më të madh është bërë me ndërhyrje të hapur.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme