Prokuroria e Mitrovicës pretendon se një hetues i Krimeve të Rënda dhe një stomatolog kishin arritur marrëveshje për bartje të drogës me një person nga Shqipëria. Kjo marrëveshje, sipas Prokurorisë, ishte bërë në një kafene në zonën e Skenderajt.
Në aktakuzën e ngritur nga prokurori i krimeve të rënda, Njazi Rexha përshkruhet takimi i marrëveshjes, rruga që kishin përshkuar të dyshuarit deri në kapjen e tyre më 13 korrik 2017, nga njësiti Anti-Drogë i Policisë e Kosovës në Mitrovicën e Veriut.
KALLXO.com raportoi ditën e arrestimit se me një veturë “Golf 4”, pjesëtari i Policisë së Kosovës Shemsedin Geci, hetues në Krimet rajonale të Mitrovicës dhe mjeku i dhëmbëve Valon Malaj ishin arrestuar pasi në veturën e drejtuar nga Geci ishin gjetur 8 kilogramë drogë e llojit marihuanë.
Një muaj më vonë, Policia e Kosovës kishte arrestuar Adnan Gërxhaliun si i dyshuar i përfshirë në rastin e policit Shemsedin Geci dhe stomatologut Valon Malaj, të cilët janë kapur duke transportuar drogë.
Personi i katërt, emër i njohur për redaksinë, i dyshuar për përfshirje në këtë bartje të drogës është nga Shqipëria dhe ende është në arrati.
Aktakuza ndaj pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Shemsedin Gecit, stomatologut nga Skenderaj Valon Malaj dhe Adnan Gerxhaliut është dërguar në gjykatë nga prokurori Njazi Rexha.
Prokurori Rexha në aktakuzë ka listuar një numër të madh të provave që janë përgjime telefonike, video-incizime etj.
Gjithashtu, nga Inspektorati i Policisë së Kosovës janë siguruar/marrë video-incizimet të kamerave të sigurisë në disa vende të ndryshme në Skenderaj dhe Mitrovicë.
‘Pushimet’ e Policit
Bazuar në sistemin për menaxhimin e kufirit, prokurori pretendon se nga data 1 janar 2017 deri me 15 korrik, Shemsedin Geci e ka kaluar kufirin 12 herë.
Sipas aktakuzës, vetëm gjatë muajit qershor 2017, Geci gjashtë herë ka kaluar kufirin në Vërmicë duke përdorur gjithsej gjashtë automjete të markave të ndryshme.
Prokurori ka përshkruar edhe numrin e thirrjeve të realizuara në mes të personave që ai i akuzon me një person nga Shqipëria, që ende është në arrati.
Ditën e arrestimit, i pandehuri Valon Malaj thuhet se ka realizuar 11 thirrje telefonike me personin nga Shqipëria.
Hetuesi i Policisë së Kosovës nga Drejtoria Rajonale e Mitrovicës ku punonte deri në ditën e arrestimit Shemsedin Geci, bashkë me Valon Malanj dhe Adnan Gerxhaliun akuzohen për bartje dhe posedim të substancës narkotike marihuanë.
Ndërsa, Valon Malaj akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje pasi qe në ditën e arrestimit kishte me veti pistoleta e tipit “Cervena Zastava” e prodhimit jugosllav.
“Shemsedin Geci, Valon Malaj dhe Adnan Gergjaliu së bashku me shtetasin shqiptar nga Shqipëria pa autorizim kanë transportuar substancën narkotike marihuanë. Shemsedin Geci, Valon Malaj dhe shtetasi i Shqipërisë takohen në kafiterinë në Skenderaj ku edhe arrijnë marrëveshje për transport”, thuhet në aktakuzë e cila vazhdon të përshkruan veprimet e mëtutjeshme.
Tutje thuhet se Geci e kishte marrë me qira veturën në të cilin ishte gjetur drogë e tipit marihuanë.
“I pandehuri Shemsedin Geci merr automjetin e markës “Golf 4” “renta car” në shoqërim të pandehurit Valon Malaj dhe nisën për në pjesën veriore të Mitrovicës”, thuhet në aktakuzë.
Ata nga Skenderaj janë përcjell nga shtetasi i Shqipërisë, i cili ishte në një veturë të tipit ‘Jaguar’ me targa të Shqipërisë, pronë e Valon Malajt nga Skenderaj.
Prokurori pretendon që në hyrja të Mitrovicës takohen me të pandehurin Adnan Gerxhaliu, i cili me automjetin “Golf 2” u bashkohet dy veturave tjera në drejtim të Veriut, në Lagjen e Boshnjakëve”.
Aktakuza përshkruan edhe momentin e ndaljes për kontroll të veturës “Golf 4” që ishte duke u drejtuar nga hetuesi i policisë së Kosovës në Mitrovicë, Shemsedin Geci.
“Automjeti ndalet nga Policia në rrugën “Osllobogjenja” me ç ‘rast gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit janë gjetur dhe sekuestruar dhjetë (10) paketime me marihuanë në peshë 8 kilogramë e 606 gramë. Ndërsa nga i pandehuri Valon Malaj konfiskohen para në vlerë prej 2,115 euro”, thuhet në aktakuzë.
Mohimi i fajësisë
Pjesë e aktakuzës janë edhe deklaratat e 3 të arrestuarve.
“Shemsedin Geci nuk mohon faktin se ditën kritike ka qenë duke drejtuar automjetin “Golf 4”, pranon se është nisur me Valonin për të shkuar në Veri të Mitrovicës për të pirë kafe, por mohon se e ka ditur që në veturën e marr nga ai “Renta Car” të ketë pasur drogë”, thuhet në aktakuzë.
Kurse, Malaj e ka mohuar takimin me personin nga Shqipëria.
“Valon Malaj nuk e mohon faktin se rreth orës 15:35 është takuar me shtetasin nga Shqipëria në kafiterinë në Skenderaj dhe se e ka thirrur edhe Shemin dhe ka kërkuar që të shkojnë në Mitrovicën Veriore për kafe. Ai tregon se personi nga Shqipëria e ka takuar një person dhe ka biseduar me të dhe bashkë kanë shkuar në Mitrovicë me automjetin “Golf 2””, thuhet në aktakuzë.
Adnan Gerxhaliu ne deklaratën e tij para prokurorit mohon faktin se ka poseduar veturë “Golf 2” dhe mohon se me këtë automjet të ketë shkuar atë ditë në Skenderaj.
Mirëpo, këto deklarata i ka kundërshtuar prokurori Rexha në aktakuzë duke thënë se faktet nga kjo ngjarje tregojnë ndryshe.
“Mbrojtja e të pandehurve Shemsedin Geci dhe Valon Malaj se kanë shkuar në pjesën veriore për të pirë kafe është e pabazë, e paargumentuar, e orientuar me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
I njëjti thotë se është e pabazë dhe mbrojtja e të pandehurit Shemsedin Geci ku deklaron se personin nga Shqipëria e njeh vetëm si shok të Valon Malajt. Prokurori, bazuar në raportin legal të kompanisë “Ipko” dhe nga vështrimi i listingut, thotë se Geci ka kontaktuar me personin nga Shqipëria.
“Në rastin e kontaktimit sipas hartografisë ka qenë në afërsi të urës kryesore në pjesën jugore, ndërsa Valon Malaj ka kontaktuar me personin nga Shqipëria, në periudhën kohore 01.01.2017 deri 13.07.2017 gjithsej 71 herë ndërsa vetëm gjatë muajit korrik 11 herë”, thuhet në aktakuzë.
Prokurori e ka bërë lidhjen e Adnan Gërxhaliut me të akuzuarit e tjerë, të cilët janë takuar në hyrje të Mitrovicës.
“Nga deklarata e të pandehurit Valon Malaj rezulton se në Skenderaj te autolarja ku Shemsedin Geci e ka marrë automjetin Golf 4 ka vërejtur automjetin Golf 2 ngjyrë vishnje, e që vërteton se ky automjet është pronë e të pandehurit Adnan Gerxhaliu dhe se në këtë automjet ka hyrë shtetasi nga Shqipëria janë nisur për në Mitrovicë ku edhe kanë lënë takim”, thuhet në aktakuzë.
Prokurori i krimeve të rënda në Prokurorinë e Mitrovicës, Njazi Rexha ka kërkuar nga Gjykata e Mitrovicës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor publik e verbal, të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t’i dënojë sipas ligjit.
Gjithashtu, prokurori ka kërkuar që t’i konfiskohen, sipas ligjit, substancat narkotike marihuanë, mjetet e transportit “Golf 4”, “Jaguar”, “Golf 2”, arma me municionin të konfiskohet, si dhe paratë me vlerë prej 2.115 euro.
Prokurori Rexha ka kërkuar nga Gjykata që ndaj të pandehurve Shemsedin Geci, Valon Malaj dhe Adnan Gërxhaliu të bëjë zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak se konsideroi edhe me këtë masë do të arrihet qëllimi i sigurimit të pranisë së të pandehurve në procedurën penale dhe parandalimin e përsëritjes së veprës penale.