Memorandum
Dokument i CIA mbi Shqipërinë
1. Më 19 gusht 1953 unë u takova me Major-gjenral ElmerJ.Rogers, i USAF, anëtar i Komitetit të Përbashkët të Vëzhgimit të JCS, me kërkesën e tij, për të diskutuar dokumentin e fundit të agjencisë sonë mbi Shqipërinë. Dokumenti është referuar për komente te degët e PBS e JCS.
2. Bisedime ishte kryesisht një diskutim i propozimeve të fundit për ndarjen e mundshme të Shqipërisë nga orbita sovjetike. Ramë dakord se dokumenti në formën e tij aktuale dhe në rrethanat aktuale, ishte me rëndësi për Shtetin dhe CIA, dhe se interesi ushtarak do të ishte minimal deri në kohën që negociatat diplomatike të kishin avancuar përtej pikës aktuale të zhvillimeve. Gjenerali Rogers tha se nga pikëpamja krejtësisht ushtarake, ndarja e Shqipërisë nga orbita do të kishte avantazh shumë të vogël strategjik, por përfitimet psikologjike do të ishin të konsiderueshme. Ai foli gjithashtu për dy pika: (a) megjithëse shkëputja e Shqipërisë nuk do të ishte nj shkak lufte për Bashkimin Sovjetik, ky veprim do të nxiste hakmarrjen e tij në elemente të tjera, dhe (b) një tentativë e pasuksesshme për shkëputjen e Shqipërisë do të kishte pasoja serioze psikologjike dhe diplomatike në Evropën Perëndimore dhe tjetër kund.
Kreu i Luftës Politike e Psikologjike
10 shtator 1953
Memorandum për kreun e divizionit të Evropës Juglindore
Mendësia britanike për operacione të mundshme në Shqipëri
Dokumenti i mëposhtëm është një përshkrim i shkurtër i bisedës informate me drejtorin gjatë kohës që ai ishte në Britani, në lidhje me çështjen e Shqipërisë. Biseda është kryer mes Patrick Dean i ministrisë së jashtme britanike dhe Gjeneralit Sinclear, ndërsa zoti … ishte prezent gjatë kohës që u diskutua për Shqipërinë. Britanikët nuk dhanë prova entuziazmi të veçantë për çështjen, duke u treguar as të ftohtë as të ngrohtë. Ata mbanin linjën e përgjithshme se ishte një subjekt me njëfarë interesi që mund të eksplorohej më shumë. Zoti Dean mendonte se debati aktual italo-jugosllav në lidhje me Triesten mund të ishte një pengesë serioze dhe se parakushtet e operacionit të Shqipërisë duhet të përfshinin ftohjen e debatit mbi Triesten. Çështja u diskutua nga zoti Dulles dhe u la një derë e hapur për ridiskutimin e temës në çdo kohë që të ishte e përshtatshme, por ishte e qartë se një operacion i përbashkët me britanikët ishte i vështirë për t’u arritur. Dega jonë ka menduar dhe ende mendon se nëse kjo çështje duhet të ngrihet me britanikët, duhet të ketë paraprakisht një afrim në nivel më të lartë mes Departamentit të Shtetit dhe ministrisë së jashtme britanike.
7 qershor 1951
Memorandum bisede
Pjesëmarrës: Joyce, Higgs, Campbell (Departamenti i Shtetit)
Pas diskutimit të subjektit me zotin Joyce, u takova me Higgs dhe Cambell të Departamentit të Shtetit, dhe u tërhoqa vëmendjen në pikat e mëposhtme: Natyra gjithnjë e më shumë ushtarake e aktiviteteve të organizatave shqiptare të emigracionit në Jugosllavi, e cila po shkakton entuziazëm në rrethet e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë dhe grupet e tjera shqiptare të emigracionit në përgjithësi. Njoftimi i ekzistencës së grupit të sponsorizuar nga Jugosllavia në radion jugosllave, bënte të qartë se grupi ka si qëllim arritjen e përmbysjes së regjimit Hoxha. Për më tepër, qasjet që janë bërë nga jugosllavët te përfaqësuesit shqiptarë të grupit, kanë bërë të qartë se Jugosllavia është e gatshme të mbështesë një program shumë më të gjerë sesi ai që ka sponsorizuar SHBA në formën e Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë (NCFA). Si rezultat i perspektivës atraktive për veprim të dhunshëm në të ardhmen e afërt, edhe anëtarët e komitetit tonë mund të joshen nga grupi jugosllav, duke bërë që NCFA të humbasë mbështetjen e liderëve dhe të publikut shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Aktivitetet jugosllave, siç është reklamuar nga publiciteti i grupit të sponsorizuar nga Jugosllavia dhe fushata e tyre e rekrutimit, tregojnë se shqetësimet e tyre nuk ishit të sinqerta kur sinjalizuan për qeveritë amerikane e britanike se aktivitetet e NCFA mund të shkaktonin një ndërhyrje sovjetike që mund të rrezikonte paqen në Ballkan. Vetë jugosllavët po përfshihen në një aktivitet shumë më provokativ sesa është kryer deri tani nga ne apo vende të tjera perëndimore. Në rast të një grushti shteti të sponsorizuar nga Jugosllavia, do të ishte e vështirë të ndalonim grekët në pushtimin e pjesës jugore të Shqipërisë, të cilën e konsiderojnë si interes legjitim, situatë e cila mund të jetë e vështirë dhe e sikletshme.
Ndërhyrja e SHBA
Unë sugjerova se është e dëshirueshme të sinjalizojmë me anë të ambasadorit tonë në Beograd, për paqartësinë e deklaratave jugosllave mbi rrezikun e ndërhyrjes sovjetike në rast të provokimeve perëndimore me grupe rezistence, në një kohë kur vetë Jugosllavia ka krijuar një organizatë shumë më militante dhe po njofton hapur rekrutimin e një force për përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Mendimi im për sugjerimin e përpjekjeve diplomatike, duhet të ndihmojë në perceptimin e qëllimeve të vërteta jugosllave, sipas të cilave do të konceptohet edhe politika amerikane në lidhje me këtë çështje. Unë sugjerova gjithashtu se meqenëse pezullimi dymujor i lëshimit të broshurave nga ajri ka skaduar, do të ishte mirë që të riniste lëshimi i teksteve ku ngrihet lart aktiviteti i Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë për ruajtjen e prestigjit të SHBA dhe për të treguar shenja të aktivitetit tonë duke ruajtur besimin e publikut e duke penguar dezertimin masiv nga Komiteti i sponsorizuar nga SHBA drejt atij jugosllav. U pranua gjithashtu nga anëtarët prezentë të Departamentit të Shtetit se do të ishte e dëshirueshme ngritja e çështjes së mësipërme me shtetin jugosllav dhe zoti Higgs sugjeroi se kjo duhet të kryhej pas marrjes së përgjigjes së jugosllavëve nga ambasadori ynë atje. Në rast s kjo përgjigje do të ishte jo e kënaqshme, ne duhet të rifillojmë lëshimet e broshurave me efektin e kërkuar si për Shqipërinë dhe qeverinë jugosllave. Zoti Joyce pyeti nëse mendoja se ishte e dobishme të ngrihej çështja e organizatës shqiptare të sponsorizuar nga Jugosllavia, me gjeneralin Popoviç. Unë u përgjigja se karakterin jo-produktiv të bisedave të deritanishme me të, do të ishte e panevojshme ngritja e debatit me të, prandaj mbrojta qëndrimin se çështja duhet të ngrihet me anë të kanaleve diplomatike në Beograd.
27 maj 1952
Memorandum
Komente të Jacob T. Beam në lidhje me Shqipërinë dhe çështje të lidhura
Në lidhje me dokumentet e strategjisë së Luftës së Ftohtë dhe për qëllime të përgjithshme operacionale, po ju kaloj disa deklarata dhe observime të bëra nga zoti Beam, i cili është zyrtari i dytë i ambasadës tonë në Beograd. Ai sapo është kthyer nga Beogradi pas një mandati një-vjeçar. Beam është një observues i mprehtë politik dhe pikëpamjet e tij duhet të jenë me interes për ne.
Në lidhje me Shqipërinë, zoti Beam mendon se jugosllavët i qëndrojnë politikave të tyre të një viti më parë. Politika e tyre është të vazhdojnë të ruajnë gjerat të ziejnë ngadalë në Shqipëri, por nuk pranojnë të bëjnë diçka që do të trazonte regjimin aktualisht, prej frikës së ndonjë reprezaljeje nga sovjetikët. Ata vazhdojnë të mendojnë se nëse Jugosllavia sulmohet nga Lindja, ata menjëherë do të pushtojnë të gjithë Shqipërinë, dhe me sa dihet, ata nuk pranojnë që në këtë pushtim të lejojnë pjesëmarrje nga Greqia apo vende të tjera. Jugosllavët besohet të kenë disa agjentë që hyjnë e dalin nga Shqipëria, të cilët janë mjaft të informuar mbi gjendjen aktuale në vend.
Situata në Shqipëri
Që prej vitit 1048 kur regjimi i Titos u prish me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria është izoluar nga kontakti tokësor me vendet satelite sovjetike. Kjo, përveç terrenit të ashpër të vetë vendit dhe traditave të vjetra klandestine të shqiptarëve, veçanërisht në zonat tribale të veriut, duken se e bëjnë Shqipërinë një objektiv premtues për operacione klandestine me objektiv përmbysjen e regjimit aktual komunist. Prezenca e një numri t madh refugjatësh shqiptarë në Evropë, sugjeron zhvillimin e një qendre politike jashtë Shqipërisë, të përbërë nga përfaqësues të elementëve anti-totalitarë dhe miqësorë ndaj politikave të SHBA për Ballkanin, që mund të shërbejnë si një pikënisje për elementët anti-komunistë brenda Shqipërisë. shërbimet e inteligjencës amerikane dhe britanike në verën e vitit 1949 ishin përgjegjës për formimin e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë (NCFA), që është një qendër politike e përfaqësuesve të refugjatëve demokratikë shqiptarë, dhe që mund të shërbejë si një mbulim për operacionet e fshehta në Shqipëri. Dhe prej atëherë operacionet e degëve politike dhe ushtarake janë kryer në emrin e NCFA.
Propozimi
NCFA është një grupim përfaqësues i refugjatëve shqiptarë që vepron si pikë fokusimi për ata që janë të interesuar përfundimisht për çlirimin e Shqipërisë. Grupimi vepron si një mbulim zyrtar për aktivitetet jozyrtare të CIA dhe shërben si një vegël për denoncimin publik të çështjes së shqiptarëve të robëruar në Shqipëri. Ai kontrollohet nga CIA dhe shërbimet britanike të MI6. Krerëve të NCFA u është bërë e qartë se në asnjë rast nuk konsiderohen si “Qeveria në ekzil” e Shqipërisë.
Detyra dhe propozime
Botimi i gazetës Shqipëria në gjuhën shqipe, dhe përdorimi i përmbajtjes së saj kryesore për broshurat e propagandës së lëshuar nga ajri në Shqipëri. Botimi në kohën e duhur të njoftimeve periodike mbi Shqipërinë, i publikuar në anglisht, frëngjisht e italisht, i shpërndarë në agjencitë kryesore të shtypit perëndimor. (Përgatitja e përmbajtjes së botimit Shqipëria është kryer sipas projektit OBTUSE, i ci li mbështetet dhe asistohet nga OBLIVIOUS ) Përgatitja e teksteve të broshurave të propagandës dhe shkrimet e transmetimeve klandestine në radio. Operacioni i “letrave helmuese” me postë, kundër liderëve të lartë të regjimit komunist në Shqipëri. Monitorimi i Radio Tiranës, monitorim i shtypit botëror për lajme mbi Shqipërinë, që mund të përdoren në programin tonë të propagandës. Lidhjet me grupet e emigrantëve, veçanërisht me ato që bëjnë pjesë në Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë.
Personeli
Një oficer i selisë kryesore do të mbajë lidhje me selinë kryesore të NCFA në Nju Jork. Të gjitha lidhjet e tjera të mbahen nga grupi i Shqipërisë së CIA, përveç kontakteve me agjentin e publikimit të Shqipëria në Romë, i cili do të lidhet me një oficer të SE.
Grupet dhe liderët vendas
NCFA është i përbërë nga përfaqësues të grupeve kryesore politike të Shqipërisë si dhe nga të pavarur. Komiteti ekzekutiv i saj përbëhet nga liderë të të gjitha grupeve, pas riorganizimit të tij në dhjetor 1953 ku u përfshinë dhe elementë që më parë nuk përfaqësoheshin.
Grupet e shënjestruar
Grupi i shënjestruar është populli shqiptar, në sensin që të gjithë përpjekjet e NCFA kanë si qëllim krijimin e një atmosfere rezistence kundër regjimit dhe përfundimisht çlirimin e popullit prej tij.
Përbërja e Komitetit për Shqipërinë e Lirë
Komiteti përbëhet nga dy njësi, ajo ekzekutive dhe një trup i përgjithshëm këshillues.
(a) Hasan Dosti – president. Zoti Dosti është një anëtar i njohur i lëvizjes Bali Kombëtar dhe përpara Luftës konsiderohej si juristi më i aftë në Shqipëri. Ai vjen nga një origjinë e thjeshtë, por pati mundësi të studiojë në Francë dhe u kthye në Shqipëri për të t’u bërë një prej qytetarëve kryesorë të saj.
(b) Abas Kupi – aktualisht ndihmon aktivitetet e NCFA në Rome. Kupi konsiderohet si një prej heronjve të luftës për drejtimin e tij të përpjekjeve guerile kundër pushtuesve italianë. Në vitin 1943 ai krijoi partinë e Legalitetit, që kishte si qëllim të ruante legjitimitetin e ish-mbretit Zog. Megjithë mungesën e shkollimit formal Kupi krijoi emrin e tij si një nga mbrojtësit më të ashpër të lirisë së Shqipërisë.
(c) Said Kryeziu – I emëruar në degën e NCFA në Romë, Said Kryeziu është gjithashtu president i Partisë Agrare Shqiptare. I arsimuar në Paris, Kryeziu ka punuar shumë për të vënë nën një flamur grupet shqiptare të emigracionit për të luftuar kundër pushtuesit. Për këtë ai ka luftuar kundër gjermanëve dhe italianëve gjatë luftës dhe u bë një prej anëtarëve të Komitetit të Parisit, i cili ishte pararendësi i NCFA.
(d) Zef Pali – Anëtar i komitetit të NCFA në Rome dhe aktualisht në Nju Jork për konsultime. Pali ështyë një lideri i njohur dhe aktiv i Ballit Kombëtar, i arsimuar në Kolegjin e Mësuesve në Elbasan. Ai respektohet si një njeri i letrave dhe i idealeve demokrate. Pali u detyrua të largohej nga vendi gjatë luftës dhe u vë një prej anëtarëve të parë të NCFA.
(e) Nuçi Kotta, është një zyrtar i NCFA në Neu York, dhje anëtar i aprtisë së Legalitetit. Ai ka qenë prej kohësh në shërbim të mbretit shqiptar në emigracion, Zog, dhe ka studiuar për drejtësi në France. Kotta u kthye në Shqipëri për të shërbyer si kryeministër i Zogut për disa vjet. Edhe ai është një prej anëtarëve të parë të Komitetit të Parisit në gusht l949. Ai është përgjegjës për publikimin e gazetës së komitetit Shqipëria. /Sot News/