Kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë që nga vrasja e kryetarit të Iniciativës Qytetare Serbe në Kosovë, Oliver Ivanoviq, por deri më tani ende nuk ka detaje të reja.
Hetimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit nuk ka detaje të reja, mirëpo grupi punues që është duke kryer hetimin po punon me kapacitet të plotë. Kështu u shpreh zëvendëskomandanti i stacionit Policor të Mitrovicës veriore, Besim Hoti, në një prononcim për Tanjug, transmeton Express.
“Nuk ka detaje të reja në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, por grupi punues që merret me hetimin po punon me kapacitet të plotë”, tha Hoti, duke shtuar se dyert për bashkëpunim nuk janë të lidhura për askënd.
Sipas tij, Policia vepron nën autoritetin e prokurorit, por Policia e Kosovës po punon në dy ndërrime dhe puna e tyre është nën kontrollin e dy prokurorëve, një serb dhe një shqiptar.
Pas vrasjes së liderit së SDP-së, Oliver Ivanoviq, Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë filluar hetimet intensive lidhur me këtë rast, ku janë përfshirë rezultatet e kamerave të sigurisë, detajet e automjetit, i cili u gjend i djegur dhe provat e forenzikës.
Mediet serbe vazhdimisht kanë raportuar se kamerat e sigurisë kanë kapur gjithçka në momentin e vrasjes së politikanit serb të SDP-së, dhe se, sipas tyre, është e sigurt që vrasësi në momentin e kryerjes së këtij akti ka qenë i shoqëruar nga një person i dytë.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar rreth orës 8:10 minuta para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e veriut.
Lideri i SDP-së, u varros në Beograd me nderimet e fundit nga qytetarë e politikanë serbë nga Serbia e Kosova.
Ivanoviq ka lënë pas vetes bashkëshorten Milenën dhe katër fëmijë. /Gazeta Express/