Thaçi në kërkim të fajtorit për vizat, s’e akuzon më BE-në

Ndryshe prej herëve të tjera, presidenti i vendit Hashim Thaçi, nuk e ka fajësuar Bashkimin Evropian për mosliberalizim të vizave.

Në prag të publikimit të Strategjisë së Zgjerimit të Komisionit Evropian për integrimin të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Thaçi zgjidhje ka kërkuar nga institucionet e vendit, raporton KTV.

Ai ka përmendur nevojën e ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, në mënyrë që kosovarët të lëvizin lirshëm.

Izolimi, problem mbetet edhe për kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj, i cili insiston se Çakorri është pjesë e Kosovës, e jo ashtu siç është përcaktuar në marrëveshjen e nënshkruar nga Hashim Thaçi.

Megjithatë, Haradinaj ka thënë se për çështjen e demarkacionit nuk ka mbetur shumë hapësirë për t’u negociuar me shtetin fqinj, pasi kjo temë tashmë ka shkuar në Kuvend.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse i është refuzuar viza angleze, kreu i ekzekutivit tha se ka aplikuar si çdo qytetar dhe se nuk ka kërkuar vizë të jashtëzakonshme.

Ai porositi mediat që të mos i mbajnë hallin e tij dhe politikanëve të tjerë për viza, por të kenë hallin e qytetarëve që kanë mbetur të izoluar.

Haradinaj tha se muajin e ardhshëm do të presë në takim homologun e tij malazez Dushan Markoviq, vizitë kjo e cila bëhet në kohën kur në Kosovë ka mospajtime rreth çështjes së demarkacionit.

Kryeministri mendoi se do t’i shpëtonte pyetjes nga gazetarët për Gjykatën Speciale, për çka tha se nuk ka koment.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme