Naser Kelmendi në fjalën e tij përfundimtare, procesin gjyqësor në të cilin akuzohet për vrasje të rëndë dhe vepra që lidhen me narkotikët e ka cilësuar të fabrikuar.
“I gjithë ky proces ka qenë i fabrikuar dhe unë kam shume për te thanë por nuk dua t’ju marr kohën tuaj”, tha Kelmendi.
Ai më tutje veten e konsideroi të pafajshëm
“Ju betohem se jam i pafajshëm dhe familjes se të ndjerit Delaliq i shpreh ngushëllime dhe shpreh keqardhjen për rastin e ndodhur, por ka qenë barrë e rëndë të akuzohem për diçka që nuk e kam ba”, tha Kelmendi.
Naser Kelmendi akuzohet për vrasjen e Ramiz Delaliqit në vitin 2007 në Sarajevë.
Ai tha se në lidhje me këtë vrasje ka dëgjuar shumë gënjeshtra nga një dëshmitare e procesit gjyqësor kundër tij.
“Lidhur me këtë pike të akuzës kemi dëgjuar shumë gënjeshtra të Sheila Turkoviqit, e cila ka pasë motiv të vetëm faktin që burri i saj ka dashtë të më vrasë”, tha Kelmendi.
Ai në lidhje me akuzën për vrasje të Delaliqit e konsideroi veten “viktimë e montimit nga Bosnja me ndihmë të prokurorisë”.
Ai mohoi se është marrë me drogë.
“Lidhur me akuzën e drogës po ashtu betohem se asnjëherë në jetën time nuk jam marrë me drogë dhe nuk do të merrem”, tha Kelmendi.
Pas përfundimit të fjalës së Kelmendit, përfundoi gjykimi i tij, ndërsa nesër gjykata do ta shpallë vendimin.
Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.
Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.
Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.
Në Bosnjë Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.
Kur iu lexua aktakuza më 16 janar 2015 Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja./Kallxo.com