Shefi i Krimeve Ekonomike Nazim Sahiti, i përfshirë në rrahjen brutale të shefit të PTK’së Agron Mustafa bashkë me policin Avni Berisha, përveç se po kursehet nga Policia e Kosovës, po ia del ta dirigjojë me sukses edhe prokurorinë e shtetit.
Edhe pse policët e kanë rrahur Mustafën në pikë të ditës në Prishtinë, Sahiti ka bërë kërkesë që Prokuroria t’ia transferojë lëndën në Prokurorinë e Gjilanit. Dhe, policit me sjellje prej gangesteri, kjo kërkesë i është aprovuar, me gjasë për shkak të lidhjeve me Drejtorin e Përgjithshëm të PK’së Shpend Maxhunin dhe me Kryeprokurorin Aleksander Lumezi.
Kërkesat e Nazim Sahitit, drejtorit të Krimeve Ekonomike po marrin aminin pa asnjë pengesë në Prokurorinë e shtetit të udhëhequr nga Aleksandër Lumezi.
Sahitit, i cili mesditën e 30 dhjetorit, në stil gangsteri, bashkë me kolegun e tij Avni Berishën, rrahu drejtorin e VALA’s Agron Mustafën, nuk i ka pëlqyer të hetohet nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, në vendin ku ka ndodhur ngjarja.
Ai i ka bërë një kërkesë Prokurorisë së Apelit të Kosovës, për ta transferuar rastin e tij në Prokurorinë e Gjilanit. Këtë kërkesë e ka miratuar Prokuroria e Apelit dhe e ka nënshkruar Kryeprokurori i saj Haxhi Dërguti.
Ai në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se transferimi i lëndës në Prokurorinë e Gjilanit është bërë pas kërkesës që ka bërë vetë i dyshuari i rastit, Nazim Sahiti.
“Lënda ka shkuar në Prokurorinë e Gjilanit, është transferuar komplet atje. Këtë transferim e ka kërkuar pala, i pandehuri Nazim Sahiti”, ka thënë Dërguti në bisedë telefonike me Express.
Ai nuk ka pranuar të flasë për arsyet e këtij transferimi të lëndës, duke thënë se ato janë në vendimin për transferim që është dërguar në Prokurorinë e Gjilanit.
“Arsyet i keni në vendim, ato i kemi dhënë në vendim”, ka thënë shkurt Kryeprokurori Dërguti.
Ndërkohë Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjilanit Jetish Maloku ka konfirmuar se ata e kanë pranuar lëndën e rastit të rrahjes së Agron Mustafës nga dy zyrtarët e lartë të Policisë së shtetit.
Por, as ai nuk ka pranuar të flasë për arsyet që janë paraqitur në këtë vendim, duke thënë se ato duhet të jepen nga Prokuroria e Apelit.
“Po, e kemi pranuar rastin dhe do ta shqyrtojmë. Ata sigurisht kanë gjetur ndonjë përjashtim atje, ose të prokurorit të rastit ose Prokurorisë, ata e kanë përjashtuar atë Prokurori edhe e kanë dërguar tek ne. Veç sa është pranuar rasti, tash në ditët në vijim do të vendoset cilit prokuror do ta marrë atë”, ka thënë Maloku.
Ndonëse Nazim Sahiti shihet në videot e lokaleve përreth duke e ndihmuar kolegun e tij Avni Berishën në rrahjen e Agron Mustafës, megjithatë masat për shefin e Krimeve Ekonomike gjithnjë kanë qenë më të lehta krahasuar me ato për hetuesin e Antidrogës, Avni Berishën. Ky i fundit ditën e nesërme ishte suspenduar nga pozita e tij, ndërkohë që Sahiti vazhdon ta ushtrojë i paprekur detyrën e tij si shef i drejtorisë më të rëndësishme në PK, atë të Krimeve Ekonomike.
Gazeta Express ka raportuar se Sahiti po gëzon mbrojtje nga shefi i Inspektoratit Policor të Kosovës Hilmi Mehmeti, i cili që kur ka ndodhur rasti e ka evituar suspendimin e shokut të tij nga pozita deri në përfundimin e hetimeve.
Një letër rekomandimi, ku kërkohej suspendimi i Nazim Sahitit nga pozita, ishte bërë gati nga hetuesit e rastit të cilët kishin dalë në vendin e ngjarjës, që t’i dërgohej drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Shpend Maxhuni. Por, mësohet se kjo letër ishte ndaluar nga udhëheqësi i Inspektoratit Hilmi Mehmeti dhe si pasojë ai nuk ishte suspenduar.
Sahiti llogaritet edhe si njeriu më i besueshëm i Drejtorit të Përgjithshëm Shpend Maxhunit brenda Policisë.
Ai nuk njihet as për karrierë të suksesshme si shërbyes i policisë. Kjo pasi Sahiti bashkë me disa zyrtarë të tjerë policorë, përfshirë edhe paraardhësin e tij në Krimet Ekonomike, Emin Beqirin, kishin dështuar të kalonin verifikimin nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës. Edhe Beqiri është aktualisht nën hetime dhe i degraduar në pozitë në Policinë e Kosovës.
Për shefa si Nazim Sahiti kishte folur edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke thënë se nuk do të tolerohen më banditë brenda policisë, nuk do të tolerohen njerëz me ora të shtrenjta në vlerë 30 mijë euro dhe vetura e prona e shtëpi super të shtrenjta.