Diplomati austriak ia shuan shpresat Serbisë: Pavarësia e Kosovës e pakthyeshme

Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme edhe nëse Serbia e Rusia e disa vende tjera vazhdojnë ta mohojnë atë.

Kështu thotë në një shkrim të tij Albert Rohan, një diplomat austriak dhe Ish- emisari i OKB-së në negociatat për statusin e Kosovës.

Rohan tregon kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të 2008-ës, duke u bërë kështu shteti më i ri në Evropë. Por, tregon se si kosovarët përjetuan edhe shtypjen nga Beogradi.

“Ishte moment që kishte dy parime të së drejtës ndërkombëtare- integritetin territorial të shteteve dhe të drejtën e njerëzve për vetëvendosje”, shkruan ai, transmeton Koha.net.
Rohan thotë se baza për pavarësinë e Kosovës ishte pikëpamja mbizotëruese në të drejtën ndërkombëtare që pakicat që pësojnë diskriminim sistematik kanë të drejtë të shkëputen. Pra, kjo siguroi bazën për njohjen e Kosovës edhe nga shumica e shteteve anëtare të OKB-së.

Thotë se për ta kuptuar se si Kosova arriti të fitojë pavarësinë është e nevojshme ta dijë çdokush.

“Beogradi në vitin 1989 hoqi autonominë e Kosovës si provincë të Serbisë, Jugosllavia u shpërbë dhe Kosova humbi statusin si njësi federale e Jugosllavisë. Gjatë viteve të 90-ta, autoritetet serbe vazhduan të diskriminonin kosovarët duke i përjashtuar nga të gjitha sistemet administrative, shëndetësore e arsimore të Serbisë. Atëherë, Kosova po udhëhiqej nga i ndjeri Ibrahim Rugova, i cili ndoqi një politikë të rezidencës paqësore për disa vjet. Nga ana tjetër, forcat jugosllave dhe serbe u nxitën për të kryer operacion masiv ushtarak ndaj kosovarëve”, ka shkruar ai.

Pas kësaj, NATO vendosi të ndërhyjë ushtarakisht ndaj Jugosllavisë. Por, forcat jugosllave dëbuan mbi 800.000 kosovarë nga shtëpitë e tyre drejt vendeve fqinje.
Pas gati tre muajsh sulme ajrore të NATO-s, Presidenti Jugosllav Sllobodan Millosheviç, përfundimisht kapitulloi duke rënë dakord të tërhiqte të gjitha forcat e sigurisë nga Kosova.

Kjo edhe i dha fund administrimit serb në Kosovë duke miratuar Rezolutën 1244 më 10 qershor të vitit 1999.

“Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara themeloi një administratë të përkohshme të udhëhequr nga OKB (UNMIK) dhe një forcë ndërkombëtare të sigurisë (KFOR). Për më tepër, OKB-ja ishte e autorizuar të lehtësojë një proces politik për të përcaktuar statusin e ardhshëm të Kosovës”, shkruan tutje ai.

Ai thotë se bashkësisë ndërkombëtare i mori më shumë se gjashtë vjet për të filluar këtë proces.

“Në konsultim me Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Sekretari i Përgjithshëm Kofi Annan emëroi ish presidentin finlandez Martti Ahtisaari si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e statusit të Kosovës. Në vitin 2006, selia e misionit në Vjenë (UNOSEK) priti 17 raunde bisedimesh midis delegacioneve nga Kosova dhe Serbia. Gjatë gjithë këtij procesi, Ahtisaari dhe ekipi i tij qëndruan në kontakt të ngushtë me Grupin që përbëhej nga Gjermania, Franca, Italia, Rusia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin ofruar “parime udhëzuese” për negociatat”, thotë ai.

Sipas këtyre parimeve, zgjidhja e statusit të Kosovës duhej të sigurojë multietnicitet dhe të lejojë të gjitha komunitetet të marrin pjesë në qeveri.

Për më tepër, parimet deklaruan se nuk do të kishte kthim në situatën e marsit të vitit 1999, asnjë ndarje të Kosovës, as bashkim në mes të Kosovës dhe ndonjë vendi tjetër ose pjesë të ndonjë vendi.

Gjatë një takimi në Londër më 31 janar 2006, ministrat e jashtëm të atij Grupi shtuan kërkesën që zgjidhja “duhej të ishte e pranueshme për popullin e Kosovës”. Duke pasur parasysh se 90 për qind e popullatës së Kosovës dëshironte pavarësinë, deklarata e ministrave kishte rëndësi të dukshme.

“Që nga fillimi i bisedimeve në Vjenës, ishte e qartë se asnjëra palë nuk do të ndryshonte qëndrimin e saj mbi çështjen themelore të statusit të Kosovës. Beogradi ishte i vendosur të ruante sovranitetin serb mbi Kosovën, ndërsa kosovarët këmbëngulën për pavarësinë si zgjidhja e vetme e mundshme”, ka shkruar tutje ai.
Shtoi se kështu UNOSEK-u i përqendroi diskutimet mbi çështjet që duhej të zgjidheshin pa marrë parasysh statusin eventual të Kosovës: të drejtat e komunitetit, decentralizimi administrativ, mbrojtja e Kishës Ortodokse Serbe, siguria, të drejtat pronësore dhe çështjet ekonomike.

Megjithatë, ishte e pamundur të arrinte një marrëveshje edhe për këto çështje. Si pasojë, Ahtisaari arriti në përfundimin se asnjë sasi e negociatave nuk do të prodhonte një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët për statusin e Kosovës.
Përfaqësuesit nga BE-ja, Rusia dhe SHBA tentuan të negociojnë një zgjidhje në vjeshtën e vitit 2006, por vetëm arriti të provonte se vlerësimi i Ahtisaarit ishte i saktë. Duke ushtruar mandatin e tij, Ahtisaari parashtroi një propozim që mori parasysh historinë e kohëve të fundit të Kosovës e realitetin në terren.

“Paraqitur tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe palët në mars të vitit 2007, ky “Propozim Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës” (Plani i Ahtisaarit) përmbante kompromise të rëndësishme. Ajo bazohet në konceptin e pavarësisë, megjithëse përfshin disa kufizime mbi sovranitetin e Kosovës: ndalimin e bashkimit me një vend tjetër, kufizimet në forcën e saj të ardhshme të sigurisë, mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë së saj për një periudhë fillestare dhe një prani ndërkombëtare të vazhdueshme ushtarake”, shkruan ai.

Rohan shkruan se në përgjigje të shqetësimeve të Serbisë, Plani i Ahtisaarit përfshinte dispozita të gjera që përfitonin nga komuniteti serb i Kosovës. Transferimi i një maksimumi të kompetencave në nivelin komunal dhe krijimi i komunave të reja me shumicë serbe janë projektuar për t’i lejuar serbët të kontrollojnë gjerësisht çështjet e tyre. Propozimi i Ahtisaarit përmbante gjithashtu dispozita të gjera për të mbrojtur trashëgiminë e Kishës Ortodokse Serbe. Të gjitha këto masa synonin të krijojnë kushte që do të lejonin serbët të qëndronin në Kosovë.

“Është për të ardhur keq që Serbia hodhi poshtë Planin e Ahtisaarit dhe Rusia e pengoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së që të miratojë atë pavarësisht faktit se plani kishte mbështetjen e plotë të pasardhësit të Ananit, Ban Ki-moon”, thotë ai.

Tutje shkruan se përkundër kësaj, udhëheqja e Kosovës e pranoi Planin e Ahtisaarit.
Bisedimet e Vjenës dhe propozimi nga i dërguari i posaçëm i OKB-së përcaktuan njëherë e përgjithmonë statusin e Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës është bërë fakt i pakthyeshëm, edhe nëse Serbia, Rusia dhe disa vende të tjera vazhdojnë të mohojnë këtë realitet”, përfundon ai duke shpresuar që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës do të sjellë përmirësim gradual në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme