Me Rusinë e cila gjendet në një vatër lufte në Ukrainë, Serbia do të kërkojë një krah tjetër për t’u mbështetur, dhe në këtë rast Kina ka treguar gatishmërinë e saj për t’iu kundërvënë ShBA-së.
Përderisa qytetarë serbë kanë valëvitur flamujt kinezë dhe ata serbë gjatë një koncerti në Kalanë “Kalemegdan” të Beogradit gjatë muajit të kaluar, qëndrimi i Kinës për çështjen e Kosovës ka qenë konstant ndër vite, transmeton Klankosova.tv.
Për Kinën, cështja e Kosovës është shumë e ngjashme me çështjen e Tajvanit, ku qëndrimi i Kinës për Kosovën pasqyron parimet kryesore që mbështesin politikën e jashtme të Pekinit.
“Ai pasqyron parimet kryesore që mbështesin politikën e jashtme të Pekinit në bazë të interpretimit të së drejtës ndërkombëtare nga ana e Kinës: mbrojtja e sovranitetit shtetëror, paprekshmëria e integritetit territorial dhe vetëvendosja e bazuar në një interpretim kufizues (vetëm në kontekstin e sundimit kolonial ose pushtimit të huaj ), duke e përjashtuar kështu këtë të drejtë për popullin e Kosovës”, shkruan The Diplomat, transmeton Klankosova.tv.
Kina dhe Serbia kanë zhvilluar një partneritet gjithnjë e më të ngushtë në vitet e fundit, Serbia është bërë gjithnjë e më e zëshme në kërkesat e saj që Kina të luajë një rol më të spikatur në çështjen e Kosovës. Për më tepër, sipas diplomatëve serbë, sjellja e Kinës tregon qartë vullnetin e saj në rritje për t’u angazhuar në çështje që nuk mund të zgjidhen vetëm nga Shtetet e Bashkuara, siç është mbrojtja e integritetit territorial të Serbisë.
Ndërsa, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me mundësinë e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO e lidhi me atë se Kosova nuk është vetë, por janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që po planifikojnë dhe e çojnë përpara këtë agjendë.
Një narrativë e tillë shton dëshirën e shtuar të Kinës për t’u përballur me SHBA-në dhe “të mbrojë ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së”, veçanërisht në dritën e akuzave të Kinës se NATO dhe Shtetet e Bashkuara janë fajtorët kryesorë në luftën në Ukrainë.