Adem Grabovci, ishte më i fuqishëm sesa dy komandantë të UÇK-së. Njërin e urdhëronte që një proces ta kthente në pikën zero, dhe tjetrit nuk ia punësonte dikë në KEK.
Grabovci, deklarohej se kishte autoritet edhe mbi një “komandant” tjetër. Atë të Policisë së Kosovës. Këtë autoritet ai e shpreh gjatë bisedës me një kandidat, të cilit i garanton se emrin e tij dhe të pesë tjerëve ia ka dhënë direkt drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Ndërkaq, në një bisedë tjetër Grabovci flet me një person të quajtur Gani Nikçi. Nikçi i raporton Grabovcit se si ka kaluar në intervistë. Lavdërohet se ka qenë shumë i mirë.
“T’thomë drejtën, kom kalu shumë mirë edhe jom shumë i knaqun me intervistën. Madje edhe ai togeri m’dha shumë shpresë se, kur u kry intervista, dikun ka zgjatë 35 minuta”, raporton Nikçi.
“I kom bo… madje, mas tynev m’ka pyt edhe ça o definimi i pronës edhe m’tha dil prit përjashta nja pesë minuta. Kur prita unë, dul ai djali edhe m’çoi poshtë, tha…, m’pyti për… fillimisht e kom pas me shkrim edhe m’tha deri qitash je ma i miri. Tha përmi 90 për qind, tha je vlerësu, edhe edhe…”, vazhdon ai.
“Unë, besoj që osht punë e kryme, se qashtu m’ka thanë, mirëpo e përcjell situatën, se drejtpërdrejt me Shpendin kom bisedu”, i thotë Grabovci.
“Po, nuk e kom mundu shumë, krejt katër, pesë vetë, s’ja kom dhon ma shumë, n’krejt Kosovën”, shton Grabovci.
“Ehë…, unë qata shpresoj shumë edhe deshta me t’falenderu, për shkak se unë e kom pas qysh me të thon edhe përgjegjësi edhe ndaj teje edhe ngarkesë…”, thotë Nikçi.
“Mu, m’kanë thanë po, edhe unë muj me pagu…, po a din mos osht herët, hahahah… veç mu… thjeshtë po thom, veç mu ndodh, farë, farë befasie…”, shton Grabovci.
Ndërkohë, kanë mbetur edhe disa ditë kur do të hapet konkursi për Drejtor të Policisë së Kosovës, ndërsa portali “Indeksonline” nga burimet e veta ka mësuar se Shpend Maxhuni ka marrë pëlqimin që të jetë edhe katër vite në këtë post. Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme ende s’ka publikuar konkursin për këtë instuticon. Shpend Maxhuni pritet të rizgjidhet edhe për një mandat në krye të institucioni të sigurisë.
Vetë Maxhuni nuk është deklaruar për përgjimet ku lakohet edhe emri i tij, ndërsa prokuroria speciale tashmë ka filluar hetimet ndaj Adem Grabovcit.
Maxhuni u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës në tetor të vitit 2011 nga ish kryeministri Hashim Thaçi, pas shkarkimit të drejtorit të mëparshëm, Reshat Maliqi./Sakte.net