Tash më gjithçka është e qartë. Vetëvendosje nuk do të mund t’i shpëtojë përçarjes më të madhe të parë ndonjëherë brenda tyre. Skandali i fundit, që filloi me ekspozimin e një mesazhi të nisur “pavetëdijshëm’ në ‘Viber’ ku gjendeshin zyrtarë të lartë të VV’së, nxori në pah atë që realisht po ndodhte në këtë subjekt politik. Kjo ngjarje, ndonëse ende jo e konfirmuar, thuhet se po e prodhon edhe një parti tjetër, krah së cilës janë rreshtuar gjithë të larguarit nga kjo Lëvizje.
Alternativa SocialDemokrate, kështu raportohet se do të quhet partia me e re në skenën politike, të cilën besohet se do ta udhëheqë Visar Ymeri, deri tani kryetar i Vetëvendosjes. Megjithatë ende nuk ka asnjë reagim në lidhje me pretendimet për formimin e kësaj partie. Burime brenda Vetëvendosjes kanë thënë për Express se nuk ka asgjë të vërtetë nga kjo situatë dhe se as që është diskutuar për këtë mundësi.
Por, gjithçka duket e mundur. Krejt kjo bazuar në zhvillimet e deritanishme në këtë parti dhe ata që kanë dhënë dorëheqje nga pozitat kryesore aty. Këtë e dëshmon edhe statusi i sotëm i Dardan Molliqajt. Ky i fundit që ka qenë një nga personat kyç në Vetëvendosje paralajmëron se mentaliteti në këtë organizatë po bëhet tejet i rrezikshëm. Ai, në këtë shkrim, i reagon ashpër Ismajl Kurteshit, ushtrues detyre i Sekretarit organizativ të VV’së, për deklaratën se Molliqaj po mban takime ilegale për të përçarë edhe më shumë partinë.
Lëvizja Vetëvendosje, e përçarë nga mosmarrëveshjet, të hënën mbajti edhe një mbledhje të përbashkët të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar të saj, në përpjekje për të zgjidhur problemet e brendshme. Por, edhe pas tetë orë diskutimesh, mbledhja rezultoi të ishte e pasuksesshme. Albin Kurti, kandidimi për kryetar të VV’së i të cilit po konsiderohet të jetë arsyeja kryesore e përçarjes së partisë opozitare, pas mbledhjes ka thënë vetëm se diskutimet në parti do të vazhdojnë.
Për këtë Lëvizje gjithçka ishte menduar ndryshe. Nga jashtë përjetoheshin unikë në mendime e qëndrime, “një për të gjithë, të gjithë për një”. Por, gjithçka rezultoi të jetë ndryshe. Organizata që pretendonte të ishte e pathyeshme, u nda në dy taborë. Nga njëra anë, Albin Kurti, e në anën tjetër Dardan Molliqaj. Megjithatë, Kurti me lehtësi do ta rikthejë lidershipin e tij në Vetëvendosje. Por sigurisht, do ta drejtojë një subjekt së paku të përgjysmuar.
Albin Kurti ishte në burg, kohën kur në partinë që dikur e drejtonte kishin filluar akuzat mes vete. Kurti kishte zgjedhur që edhe mbrapa grilave, në ditën kur po mbahej Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie, t’u tregonte atyre se të gjithë janë të zëvendësueshëm, përveç atij.
Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të ballafaqohet me krizën e brendshme politike. Vetëm për një kohë shumë të shkurtër, shumë zyrtarë të saj dhanë dorëheqje. Gjithçka nisi kur Aida Dërguti e quajti mut, liderin shpirtëror të VV’së Albin Kurtin.
Deri më tani, nga Lëvizja Vetëvendosje u larguan Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Shqipe Pantina, Dardan Sejdiu, Faton Topalli, Qendron Kastrati, Driton Çaushi, Frashër Krasniqi.