A duhet besuar hekurudha Tiranë-Prishtinë?

 

Nga Lutfi Dervishi

Duhet besuar, patjetër!

Duhet besuar sepse në vitin 2011 u paraqit madhërisht plani për 7 linja tramvajesh në Tiranë. Sot? Sot të gjithë po i shijojnë. Po të mos kishim tramet sot çdo banor i kryeqytetit do të harxhonte 2-3 orë në trafik.

Duhet besuar sepse hekurudha Tiranë–Durrës, me degëzim për në Rinas, ka mbaruar me sukses…! Është aq moderne dhe ekologjike sa nuk dëgjon zhurmën e trenit dhe, madje, as nuk e sheh dot.

Duhet besuar sepse stacioni i ri i trenit në Tiranë është ndërtuar! Po, është supermodern, i tejdukshëm, por vetëm për ata që janë të zgjuar.

Duhet besuar se hekurudha Tiranë–Prishtinë do të bëhet, sepse ne jemi vendi ku projektet ecin më shpejt se trenat, pikërisht sepse nuk ka tren.

Duhet besuar sepse:
Stadiumi i Kukësit u premtua si “Camp Nou” i veriut, por doli si fusha e lagjes pas një shiu të lehtë.

Porti i Durrësit do të bëhet më i madhi në Mesdhe… por deri tani ka lundruar vetëm në makete, në intervista dhe në tenderë. Njerezit kanë paguar që tani për apartamente, prandaj po ecën aq shpejt.

Teatri i ri Kombëtar do të ngrihej si simbol i kulturës së re, por për momentin, është simbol i asgjësë me kulla që rriten rreth e përqark.

“Air Albania Campus” për studentët – një ëndërr që nuk shuhet kurrë, edhe pse kompania sikur paska falimentuar.

Zgjerimi i bulevardit të Tiranës deri te liqeni i Paskuqanit – në realitet është zgjeruar vetëm durimi i banorëve që presin.

Akademia e çobanëve ka mbaruar dhe nuk ka dele që nuk e beson.

Prandaj, duhet besuar hekurudha Tiranë–Prishtinë.

Duhet besuar, patjetër! Se ne jemi populli që nuk ecën me tren, por me kismet. Dhe kismeti nuk ka nevojë për shina.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme