Avdullah Hoti është shprehur i bindur se Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është më i bashkuari në skenën politike të Kosovës. Shefi i këtij Grupi Parlamentar thotë se deputetët e LDK-së përfaqësojnë partinë më të madhe në Kosovë.
Duke reaguar ndaj raportimeve të mediave se është përçarë Grupi Parlamentar i LDK-së, Hoti ka përgënjeshtruar këto raportime. Sipas Hotit, LDK shpejt do të marrë përgjegjësi për udhëheqjen e vendit.
“Grupi Parlamentar i LDK-së përfaqëson partinë me përkrahjen më të madhe në Kosovë dhe është plotësisht unik. Kaq. Tash kur shpejt marrim përgjegjësi në udhëheqjen e vendit sigurisht se porositen shkrime”, ka shkruar Hoti.
Por, disa nga konkludimet e Avdullah Hotit janë të çuditshme.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, partia më e votuar në Kosovë, sipas rezultateve të KQZ-së, ka dalur Lëvizja Vetëvendosje me 32 deputetë, më pastaj vjen Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 28 deputetë.
Gjithashtu, për dallim nga deklarimet e Hotit, partia që udhëhiqet nga Isa Mustafa vazhdimisht ishte përballur me mos unitet brenda deputetëve të kësaj partie.
Rreth 10 deputetë të LDK-së nuk iu kishin bindur qëndrimeve të kësaj partie për të votuar Marrëveshjen për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi.
Madje, kjo çështje ishte bërë shkak i rrëzimit të Qeverisë Mustafa gjatë vitit të kaluar.
Deputetët e LDK-së kishin treguar mosbindje ndaj partisë së tyre dhe liderëve edhe në momentin e votimit të qeverisë në vitin 2014, ku për kryeministër ishte mandatuar vet Isa Mustafa.
Mosbindje ndaj partisë kishin treguar edhe në momentin kur Isa Mustafa kishte kërkuar nga deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demrokatike të Kosovës (LDK) që ta votojnë Hashim Thaçin për President të Kosovës.