A ka marrë fund shpirti i Newborn-it?

Equal Times/Laetitia Moreni

Një dilemë në Kosovë qëndron në ajër: A është i gjallë ende shpirti i “Newborn-it”, pyet portali “EqualTimes” në artikullin me titullin “A ka marrë fund shpirti i Newborn-it në Kosovë gati dhjetë vite pas pavarësisë?”

“Shoh shumë zhgënjim, është për keqardhje”, thotë Joanna Johnson në intervistën për EqualTimes.

Bashkëthemeluesja e OJQ-së Perspektiva me dhembje e pranon se “ata (kosovarët) janë të zhgënjyer me autoritetet dhe është edhe një çështje tjetër e madhe: korrupsioni”.

Ëndrrat janë rrënuar nga realiteti. Ndonëse kosovarët në anketimet e bëra janë ndër popujt më optimistë në rajonin e Ballkanit, “Newborn-i” ose muaji i mjaltit ka marrë fund. Dhe kjo është krejt e kuptueshme: vendi me rritje ekonomike prej 3.5% nga e cila nuk përfiton popullata dy milionëshe, ka shkallën e papunësisë në mesin e të rinjve nën 25% vjet, hiç më pak se 57.7%.

Një hulumtim i bërë nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës bashkë me Bankën Botërore tregon se nga 733.341 kosovarë që nuk punojnë, 165.712 nuk kërkojnë fare punë, sepse thjesht nuk besojnë që mund ta gjejnë.

Në qendër të Prishtinës, kafiteritë janë përplot gjatë gjithë ditës, sepse popullata dëshiron të kalojë disi kohën dhe të maskojë mungesën e punësimit.

Kryeredaktori i Kohës Ditore, Agron Bajrami shfaq keqardhje për mungesë të çfarëdo progresi: “Njerëzit nuk dëshirojnë të krahasohen me situatën e para 20 viteve, ata duan të krahasohen me pjesën tjetër të botës”.

Pas një pauze të shkurtër Bajrami shton: “Politikanët fitojnë 20 herë më shumë se një pensionist”.

Ardiana Gashi, profesoreshë e ekonomisë në Universitetin e Prishtinës mendon ngjashëm: “Nëse paratë e ardhura do të shfrytëzoheshin më mirë, situata do të ishte tjetër”, dhe shton se “barriera më e madhe për progresin e vendit është sistemi shkollor”. Ajo ka studiuar në Britaninë e Madhe para se të kthehej në Kosovë në vitin 2007: “sikur ta dija se do të ballafaqohemi me këtë situatë, nuk do të kthehesha kurrë. Ne jemi duke shkatërruar ardhmërinë e fëmijëve tanë”.

“Unë adhuroj vendin tim, por e urrej qeverinë”, thotë një prishtinas tjetër.

Autoritetet vendore mund të kenë dështuar, por edhe Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë duke bërë të njëjtën gjë në raport me kosovarët e braktisur, duke i lënë të jetojnë në vendin e përjashtuar nga liberalizimi i vizave.

“Populli i Kosovës dëshiron të udhëtojë, por vendi është i bllokuar. Është vendi i vetëm i ‘burgosur’ në Ballkan”, thotë Mirsad Voca, autori i tezës “Kosova ndërmjet dekomponimit të Jugosllavisë dhe rikomponimit të Evropës”.

Pavarësisht kësaj situate, Petrit Selimi, koordinator nacional i “Sfidës së Mileniumit” (program ndërkombëtar i financuar nga qeveria e SHBA-ve) thotë: “Mendoj se Kosova ka bërë progres më të madh se çdo vend tjetër në Evropën moderne. Në vitin 1945, kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore, 90% e popullatës së Kosovës nuk dinin shkrim-lexim. Shqiptarët nuk kishin universitet deri në vitin 1974 dhe vetëm atëherë filloi ngritja e shtresës së mesme”.

Por edhe Petrit Selimi e pranon: “Muaji i mjalitit ka përfunduar”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme