Kjo pasi që në njërën nga mbledhjet e Kryesisë së partisë, Dardan Molliqaj kishte kërcërnuar me largim nga Vetëvendosja nëse Albin Kurti kandidon për kryetar.
Këtë e kishte konfirmuar edhe deputeti i VV-së, Liburn Aliu ditë më parë në një emision televiziv.
“Dardan Molliqaj e ka thënë në mbledhje të Kryesisë së VV-së, se nëse kandidon Albin Kurti për kryetar të VV-së, atëherë ai largohet nga Vetëvendosje”, kishte thënë Liburn Aliu.
E kandidatura e Kurtit për kryetar të partisë u zyrtarizuar mbrëmë.
Këtë e bëri zyrtari i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi i cili në facebook e konfirmoi se Kurti synon të rikthehet si lider i partisë.
“Si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nënshkrova në mbështetje të kandidaturës së Albin Kurtit për kryetar të Lëvizjes. Komisioni Zgjedhor i Pergjithshëm kishte miratuar sot, pas verifikimit, deklaratën e tij të kandidimit, dhe tashmë ka nisur zyrtarisht grumbullimi i nënshkrimeve”, ka bërë të ditur Vraniqi në facebook.
Përçarjet në Vetëvendosje kishin nisur kohë më parë. Deputetja, Aida Dërguti në një komunikim në viber e kishte quajtur m** Albin Kurtin.
E kjo bëri që në Vetëvendosje të ndahen në dy grupe, në njërën anë përkrahësit e Albin Kurtit, e në tjetrën të Molliqajt.
Edhe pse ende saktë nuk dihet se kush bën pjesë në grupin e këtij të fundit, veç Visar Ymerit i cili gjithashtu ditë më parë kishte thënë se askush nuk mund ta privatizon partinë.
Dardan Molliqaj ishte rrëfyer gjerë e gjatë në debatin në Klan Kosova ku kishte treguar mospajtimet me Albin Kurtin.
Ai kishte thënë se asnjëherë nuk kishte kërkuar moskandidimin e tij për kryetar, pasi edhe po të donte nuk do të mund ta ndalte.
Javën e kaluar për të gjitha këto zhvillime u mblodh edhe Këshilli i Përgjithshëm i Vetëvendosjes, ku u shpallën zgjedhjet për kryetar të partisë.
Në këtë mbledhje lideri shpirtëror i VV-së, Albin Kurti kishte vendosur tu drejtohej anëtarëve me një letër nga burgu i Lipjanit ku po mbahet për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës.
Kurti kishte mesazhe indirekte për Molliqajn, e Ymerin me shokë.
“Çdo anëtar është i rëndësishëm, por askush nuk është i pazëvendësueshëm. Kur disa njerëz i humbin privilegjet mendojnë se u është bërë padrejtësi, por ndoshta dhënia e privilegjeve ka qenë padrejtësi”, kishte shkruar Kurti.
Madje ky i fundit ndërmjet rreshtave akuzonte këta zyrtarë të VV-së se e kishin mashtruar Aida Dërgutin, të cilën Kurti e fali për ofendimin që i kishte bërë.
Se a do të dorëhiqet Molliqaj, kush bënë pjesë në grupin e tij dhe cila do të jetë zgjidhja e këtyre problemeve në Vetëvendosje, mund të kuptohet rreth muajit shkurt kur edhe do të mbahen zgjedhjet për kryetar. /Lajmi.net/