Kundër kryetarit aktual të komunës, kanë dalë dy bashkëpartiakë, Naim Bazaj dhe Bislim Zogaj, të cilët kanë thënë se nuk do ta përkrahin kandidimin e Ramiz Lladrovcit edhe për një mandat në krye të Drenasit, raporton KTV.
Moszgjedhja e Bislim Zogajt dhe Naim Bazajt si deputetë të Kuvendit të Kosovës po ia rrezikon karrigen e të parit kryetarit aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Gatishmërinë për të marrë këtë pozitë e kanë shprehur të dy këta bashkëpartiakë të Lladrovcit.
Madje, të dytë janë kundër ri-kandidimit të tij për kryetar.
Derisa Naim Bazaj ka thënë se është i gatshëm të dalë si kandidat i pavarur nëse nuk kandidohet nga partia për kryetar, Bislim Zogaj ka thënë se nuk do ta mbështesë Ramiz Lladrovcin për kryetar.
Ai thotë se Lladrovci nuk e gëzon mbështetjen e anëtarësisë se PDK-së në Drenas.
Zogaj tashmë është i vendosur që është koha ai të marrë në dorë udhëheqjen e qytetit.
Naim Bazaj, i cili nuk ka dashur të flasë për KTV-në, kishte garuar edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën në dhjetor të 2016-ës në Drenas, por pas presionit nga partia, kishte vendosur ta tërheqë kandidaturën e tij.
Ndërkaq, i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë shkurt se çfarëdo vendimi që do të marrë kryetari Kadri Veseli, ai do të pajtohet.
© KOHA.