Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova gjatë qëndrimit të saj zyrtar në SHBA në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka realizuar takim me përfaqësuesin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që homologët e saj nga Ballkani Perëndimor, përfshi edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, janë takuar me presidentin e SHBA-së Joe Biden, shkruan Alsat.
Me Biden u takua edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërsa deri tani, Siljanovska-Davkova, në rrjetin e saj social Facebook, po ashtu, edhe në faqen e Presidencës së Maqedonisë së Veriut, nuk ka publikuar ndonjë njoftim për takim të mundshëm me presidentin Biden, apo ndonjë fotografi nga takimi i mundshëm i tyre.
Në një përgjigje për Alsat.mk, nga Presidenca, kanë thënë se presidentja Siljanovska Davkova u takua me presidentin e SHBA-ve Joe Biden, ani pse, s’ka ende njoftim zyrtar apo fotografi.
“Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u takua me presidentin e SHBA-ve Joe Biden në të njëjtën ngjarje ku u takuan presidentja e Kosovës dhe kryeministri shqiptar”, thonë nga Presidenca në një përgjigje për Alsat.mk.
Ndryshe gjatë fjalimit të saj në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së, Siljanovska-Davkova për herë të parë ka përmendur emrin kushtetues të shtetit, Republika e Maqedonisë së Veriut./ Alsat.mk