Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj në një prononcim për Gazeta Blic ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme që Komuna e Istogut të shkojë në rivotim.
Nitaj tha për Gazeta Blic se AAK do të pranojë çdo vendim të organeve gjyqësore, mirëpo ka thënë PZAP nuk ka pasur asnjë arsye që të kërkoj anulim të raundit të dytë, e as që ky vendim të mbështetet nga Gjykata Supreme.
”Ne jemi parti serioze dhe sigurisht se do të pranojmë çfarëdo vendimi të organeve gjyqësore. Por, ajo që duhet thënë është se nuk ka pasur asnjë arsye që PZAP të kërkoj anulimin e raundit të dytë të votimeve e aq më pak këtë ta mbështesë edhe Gjykata Supreme”, tha ai.
Sa i përket ankesave të LDK-së, ai ka shtuar se këto janë reagime të humbësve, duke përmendur edhe raundin e parë të zgjedhjeve ku Nitaj thotë që kandidati i AAK-së, Dreshaj mori shumicën e votave me kusht dhe me postë.
”Kam përshtypjen se ankesat e LDK-së, janë reagim i humbësit. Asgjë nuk ka ndodhur në Istog. Një standard i pranuar në raundin e parë, tash po kontekstohet në raundin e dytë. Në raundin e parë, me të njejtën formulë, shumicën e votave me kusht dhe me post i ka marrë Haki Rugova. Në raundin e dytë ka ndryshuar vetëm rezultati dhe shumicën e ka fituar Gani Dreshaj”, shtoi ai.
Gjithashtu, Nitaj ka shtuar se kandidati Dreshaj kishte kuptuar dredhinë, siç tha ai të kundër kandidatit të tij Haki Rugovës.
”Duket që Dreshaj ka kuptuar ”dredhinë” e Haki Rugovës dhe nuk i ka lënë rastit raundin e dytë. Ka mundësi që votuesit ta kenë kuptuar se Dreshaj kishte më shumë gjasa të fitonte në raundin e dytë dhe nuk përjashtohet që janë përcaktuar për të”, tha ai.
Në fund, zëdhënësi i AAK-së, tha se ajo që ka ndodhur në Istog është ”Deja Vu”, duke shtuar se vetëm fëmijët kur humbin lojën duan që të fillojnë një tjetër nga fillimit.
”Krejt ajo që ka ndodhur në Istog është ”Deja Vu”, dhe kur i pranon rregullat e lojës, nuk ma më ”ping loja”!Vetëm fëmijët kur humbin lojën, thonë t’ia nisim lojës prej fillimit”, përfundoi Nitaj.
Në anën tjetër, nga LDK vendimin e Gjykatës Supreme për Gazeta Blic e ka komentuar kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Istogut, Haki Rugova që tha se ai nuk i frikësohet rivotimit.
”Natyrisht, është krejtësisht i padrejtë. Unë nuk i frikësohem rivotimit, mirëpo është krejtësisht e padrejtë”, shton ai.
Sipas tij, veprimi i mëtutjeshëm do të jetë drejtimi në Gjykatën Kushtetuese.
”Nëse veç e kanë pru atë vendim, unë nuk e kam pa, ai duhet të dërgohet në mënyrë zyrtare dhe ne e shohim çka veprojmë më tutje, mirëpo nëse duhet të shkohet në rivotim eventual ka Gjykata Kushtetuese, nuk e shoh si vendim meritor”, ka përfunduar Rugova.
Ndryshe, pak më parë Gjykata Supreme ka vendosur që Istogu të shkoi në rivotim.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ditë më parë mori vendim që komuna e Istogut të shkoj në rivotim për raundin e dytë, vendim të cilin e kundërshtoi edhe AAK-ja e cila në këtë komunë kandidoi me Gani Dreshajn kundër kandidatit të LDK-së, Haki Rugova.
Për këtë vendim të PZAP-it ka reaguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka dërguar dje në Gjykatën Supreme një ankesë për këtë vendim, duke kundërshtuar rivotimin.
AAK pas dorëzimit të ankesës është shprehur e bindur se Supremja do ta ndryshoj vendimin e PZAP-it dhe të konfirmoj rezultatet e zgjedhjeve të 19 nëntorit, ku fitues doli Dreshaj. Por sot Kolegji i Supremes vendosi ndryshe./GazetaBlic
Muharrem Nitaj-Zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës