Sekretari organizativ i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për diasporë, Sokol Mehmetaj, tha se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës po hasin probleme serioze gjatë procesit të regjistrimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Si Sekretar Organizativ i AAK-së për Diasporë, dëshiroj të informoj opinionin publik dhe institucionet përgjegjëse se një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë Kosovës po përballen me vështirësi serioze gjatë procesit të regjistrimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Pavarësisht se qytetarët kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë dhe të rregullt, përfshirë mjetet e identifikimit dhe dëshmitë e adresës të kërkuara me procedurë, shumë prej tyre kanë marrë vendime refuzuese me arsyetimin se ‘adresa e deklaruar është e pasaktë’. Këto vendime janë të pabazuara, pasi dokumentet e paraqitura janë të sakta, të verifikueshme dhe plotësisht në përputhje me kërkesat ligjore”, tha Mehmetaj.
Ai shton se ka indikacione të qarta se refuzimet e njëpasnjëshme mund të jenë rezultat i problemeve teknike në sistemin e regjistrimit, e jo mangësi nga ana e aplikuesve.
Mehmetaj kërkon që KQZ të diagnostikojë dhe të eliminojë menjëherë çdo defekt teknik në sistemin e regjistrimit, të rishqyrtojë të gjitha aplikimet e refuzuara padrejtësisht dhe të sigurojë transparencë të plotë gjatë gjithë procesit, për të garantuar trajtim të drejtë dhe të barabartë për çdo qytetar.



