AAK: Presidentit dhe kryeministrit s’u ka faj opozita

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka dënuar gjuhën të cilën po e përdor LDK e edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa, karshi AAK-së dhe shefit të grupit parlamentar të këtij subjekti politik, Pal Lekaj.

AAK, përmes një reagimi dërguar mediave, thotë se kur kryeministrit dhe presidentit u shfaqen probleme në politikbërje, nuk u ka faj opozita dhe njerëzit e saj, por problemi është tek presidenti, kryeministri dhe qeveria.

“Kur disa mijëra qytetarë dalin në rrugë për një vit rresht, e disa mijëra të tjerë me nënshkrimet e tyre e kundërshtojnë kryeministrin e presidentin, kur krejt opozita është kundër vendimeve e marrëveshjeve të presidentit e të kryeministrit, kur presidenti dhe kryeministri nuk mund t‘i kalojnë vendimet e tyre në Kuvend, edhe pse i kanë dy të tretat, kur presidenti dhe kryeministri nuk mund t’bindin as deputetët e partive të tyre se vendimet e marrëveshjet e tyre janë të drejta, kur qytetarët dhe opozita janë të pakënaqur me efektet e dialogut ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe asaj në Beograd dhe kur për të gjitha këto flasin hapur edhe qytetarët edhe opozita, atëherë ata që kanë problem janë presidenti, kryeministri dhe qeveria e jo opozita ose njerëzit e saj”, ka thënë AAK në reagimin e saj.

Sipas AAK-së, nuk është opozita ajo që këtë vend e ka shndërruar në strehë, ku “hajnat flasin se si janë fisnikë, ku dezertorët flasin për trimëri, ku ish-udhëheqësit komunistë na tregojnë si duhet atdheu, ku injorantët bëhen doktorë shkencash e profesorë…dhe kështu me radhë dhe të gjitha këto i bëjnë në emër dhe me pare të shtetit”.

“Është e tmerrshme kur Kryeministri i vendit, një opozitar e quan rrugaç, një tjetër bisht kali, një të tretë gomar, vrasës apo edhe me keq… ndërsa për gratë flet si me pas qenë hyrijat e haremeve. Është më shumë se matrapazllëk kur një deputete, në shkëmbim të votës, merr terminal doganor, një tjetër bëhet ambasadore, një i tretë zv/kryeministër, e kështu në të gjitha hallkat e pushtetit mbi të cilin kanë vënë dorë dy njerëz me gjithë sejmenët e tyre”, theksohet në këtë reagim.

“Këto janë gabime të rënda që nuk shlyhen me fjalë, sado të zotët të jenë “oborrtarët” e LDK-së e të pushtetit”, thotë më tej AAK.

Në fund, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se “gjuha ofenduese e Isa Mustafës dhe e LDK-së, kundër Pal Lekajt dhe opozitarëve të tjerë, nuk mund të shndërrohet në mburojë të dështimeve të Isa Mustafës e as të LDK-së”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme