Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku më anë të katër pikave iu është kundërpërgjigjur PDK-së për akuzat që i kanë dërguar ata lidhur qëndrimin e LDK-së për Gjykatën Speciale.
Duke ju drejtuar deputetit të PDK-së, Memli Krasniqit, Abdixhiku ka shkruar se LDK nuk ka partner qeverisës Listën Serbe, duke ja kujtuar se kishin pritur 5 orë miratim nga Beogradi për krijim të qeverisë.
Sipas tij, LDK është konsistente në qëndrimet e saj për Specialen, duke shkruar se e njëjta është sponsorizuar pikërisht nga PDK.
Në anën tjetër, ai ka akuzuar Krasniqin dhe PDK-në për prishje të marrëdhënieve me SHBA-në.
Sa i përket identifikimit të LDK-së me Beogradin, kjo sipas Abdixhikut nuk është risi, pasi që PDK vepron njejtë, siç tha ai gjithnjë kur muskujt nuk bëjnë punë aty ku duhet intelekti.
Këto komente deputeti i LDK-së i bëri pasi që gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, projektligji për shfuqizim të Speciales u dërgua në Qeveri.
Anëtarët e Lidhjes Demokratike lëshuan mbledhjen me të ardhur te pika ku do të diskutohej për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Ky është statusi i plotë i Abdixhikut:
Memli Krasniqi paska akuzuar deputetët e LDK-së për qëndrime të njëjta për Specialen me Listën Serbe.
– E para, LDK nuk e ka partner qeverisës Listën Serbe, PDK e ka. PDK ka pritur 5 orë miratimin dhe ardhjen nga Beogradi. Nëse vërtetë i konsideroni siç edhe janë, largoni prej qeverisë. Mos na mbani ligjerata.
– E dyta, LDK është konsistente në qëndrimet e saja. Gjykatën Speciale e ka votuar dhe sponzorizuar pikërisht PDK. LDK s’mund të luaj me politikën nacionale e ndërkombëtare sipas qejfeve të odave. Jemi më serioz se kaq.
– E treta, LDK s’bën akrobacione politike për të rrënuar aleancën me SHBA-të. Ju njohim për theqafje, por theqafjen se lejojmë për vendin tanë. Këtë aleancë e kemi bindie politike.
– E katërta, identifikimi i LDK-së me Beograd s’është risi nga PDK. Kështu keni bërë gjithëherë kur muskujt s’ju kanë bërë punë aty ku duhej intelekt. Por gjuha e njëjtë ka shtyrë e nxitë edhe eliminimin e figurave kyçe të LDK-së. Dhe gjuha e njëjtë sot, ka mu këtë rrezik.
Harroni se kjo strategji, kjo gjuhë ju bën punë. Qytetarët janë të dijshëm; s’janë aq naive sa i merrni ju – e ne jemi të vendosur ta mbrojmë Republikën me çdo kusht.