Abdixhiku në krye të LDK: Hapim një faqe të re si parti e krahut të djathtë me filozofi rugoviane

Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur fjalim përpara delegatëve pas fitores në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së. Abdixhiku falënderoi të gjithë delegatët për besimin, ndërsa shtoi se tashmë LDK-ja ka hapur një faqe të re, për ta kthyer në vendin që i përket.

Abdixhiku shtoi se tashmë të gjithë duke filluar nga vetvetja, duhet të punojnë për rikthimin e madh të LDK-së.

“Ju faleminderit nga zemra për besimin, përgjegjësinë dhe nderin dhënë sot. Në emër tuajin, falënderoj kryetarin e deritanishëm, akademik Isa Mustafa që për 11 vitet e fundit udhëhoqi shtëpinë tonë të përbashkët. Më lejoni të falënderojë edhe dy kundërkandidatët e mi, Lutfi Hazirin dhe Besjan Mustafën. Të dy me kulturën e tyre politike, origjinal me LDK-në, vendosën një garë demokratike si një shembull për të gjithë spektrin shqiptar”, vazhdoi Abdixhiku, sipas Koha.net.

“Sot po e hapim një faqe të re të rrugëtimit tonë, me synime të qarta për ta kthyer LDK-në në vendin që i përket. Për gjatë viteve, LDK-ja mbrojti vendin si pozitë ashtu edhe opozitë. LDK-ja u tregua promotore e këtyre vlerave.

Nga vetvetja duhet të nisim rikthimin tonë të madh. Sot dhe nesër, ne secilin e nderojmë, çdo udhëheqës të LDK-së. LDK-në nderon udhëheqësinë paraprake. Kjo shtëpi duhet të gjejë forcën për t’u rikthyer. Dua të jem i qartë, idetë e LDK-së i qëndrojnë prape atyre, janë pasqyra e kësaj partie, janë detyra të nisura nga presidenti historik Ibrahim Rugova, janë ide të kultivuara nga dy kryetarët paraprak, Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa, janë ide të Lidhjes”, vijoi kryetari më i ri në historinë e LDK-së.

Abdixhiku më pas premtoi reformë brenda LDK-së, duke i çuar edhe një mesazh të gjithë skeptikëve rreth kësaj partie.

“Ndjej detyrë dhe përgjegjësi t’i prij kësaj detyre. Para një obligimi të tillë s’mund të qëndrojmë asnjëri indiferent. Rruga përpara kërkon shtyllat e mirëmbajtjes si parti e krahut të djathtë, filozofinë politike rugoviane. Rruga përpara kërkon afrimin e njerëzve që më herët nuk kanë pasur vend. Rruga përpara kërkon reformë dhe reformë do të ketë. Skeptikët do t’i bindim se LDK-ja do të mbetet edhe Lidhje, edhe Demokratike, edhe e Kosovës. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë LDK-në”, përfundoi Abdixhiku.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme