Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi thotë se dita e sotme është një ditë dhimbje dhe ankthi, jo vetëm për familjet e përfshira në ngjarjen tragjike në Velipojë, por për të gjithë shkodranët e shqiptarët, brenda e jashtë vendit.
Nisur nga motivet e deklaruara deri tani për motivin e konfliktit, Ademi shkruan në një postim në “Facebook” se humbja e 4 jetëve njerëzore mund dhe do ishte evituar nëse Ministria e Turizmit, Agjencia Kombëtare e Bregdetit që administron edhe hapësirën e plazhit në Velipojë, do të kishte vepruar sipas afateve dhe përcaktimeve ligjore për stacionet e plazhit.
“Ngjarja shumë e rëndë e mesnatës së shkuar në Velipojë, duhet të jetë një alarm i fortë për strukturat e shtetit. Humbja e 4 jetëve njerëzore mund dhe do ishte evituar nëse Ministria e Turizmit, Agjencia Kombëtare e Bregdetit që administron edhe hapësirën e plazhit në Velipojë, do të kishte vepruar sipas afateve dhe përcaktimeve ligjore për stacionet e plazhit.
Kërkoj me forcë, edhe në emër të shkodranëve, që strukturat e shtetit të funksionojnë, duke kryer detyrat e tyre në zbatim të Kushtetutës e ligjeve, në mbrojtje të jetës, sigurisë dhe pronës. Në Velipojë ngjarje të tilla janë shumë të rënda, konflikte të shkaktuara për sjellje dhe vendimmarrje të vonuara apo të munguara të shtetit”, deklaron Ademi.