Aeroplanë ushtarakë amerikanë dhe grekë nesër me fluturim mbi Shkup do ta përshëndesin anëtarësimin në NATO

Aeroplanë ushtarakë amerikanë dhe grekë nesër me një fluturim mbi Shkup do ta përshëndesin anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, informojnë nga Ministria e Mbrojtjes. Fluturimi do të realizohet rreth orës 11:20.

Dy aeroplanë të aviacionit amerikan ushtarak të shoqëruar nga dy aeroplanë ushtarakë të Republikës së Greqisë, do të realizojnë fluturim mbi territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Fluturimi do të jetë për nder të anëtarësimit tonë në NATO. Aeroplanët do të fluturojnë përgjatë lumit Vardar, ndërsa do të vijnë nga drejtimi i aeroportit të Shkupit, thonë nga MM.

“Aleatët tanë amerikanë dërgojnë porosi të fuqishme se dy vendet tona ruajnë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe se pas mbështetjes së vazhdueshme të cilën na e dhanë në rrugën drejtë NATO-s, dhe pas hyrjes në Aleancë mbeten edhe më tutje aleati ynë i fuqishëm dhe partneri ynë strategjik”, potencoi ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.

Aeroplanët amerikanë do të fluturojnë sot prej shtetit federal Dakota e Jugut dhe do të kenë fluturim 30 orësh pa ndërprerje me mbushje të karburantit në ajër. Nëse kushtet e motit e mundësojnë këtë, qytetarët e interesuar do të mund ta mbikëqyrin fluturimin e aeroplanëve amerikanë dhe aeroplanëve shoqërues nga aviacioni ushtarak grek mbi Shkupin. Aeroplanët mbi vendin tonë do të fluturojnë në lartësi prej 1.500 metrave dhe fluturimi i tyre do të shoqërohet me zë të fuqishëm. Demonstrimi i këtij fluturimi do të jetë edhe një konfirmim për pranimin e përzemërt të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe sinjal për vazhdimin e bashkëpunimit.

Anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO filloi me mbështetje të gjerë nga ana e vendeve aleate, që u tregua edhe gjatë krizës shëndetësore nga virusi korona me donacione të shumta të pajisjeve mjekësore dhe mbrojtëse nga ana e aleatëve. Si anëtare e re e NATO-s, Republika e Maqedonisë së Veriut është e përfshirë edhe me programin për patrullim ajror i cili është ekskluziv vetëm për anëtaret e Aleancës dhe qëllimi i së cilës është mbrojtja e qiellit të shteteve të NATO-s

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme