Policia e Shtetit po ekzekuton disa urdhër-arreste të lëshuara nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK për llogari të hetimit të impiantit të plehrave në Fier, të njohur si inceneratori. Sipas burimeve, në total janë 11 urdhra-arreste.
Pesë prej tyre rezulton të jenë jashtë territorit shqiptar. Paralelisht po operohet edhe me kontrollin e disa banesave.
Masat e arrestit janë dhënë për Arber Denizi, Juri Ymeraj, Silvester Dreza, Gentian Zifla, Arjola Kodra, Enver Sheshi, Robert Shabani, Regan Merdani, Luran Dusha, Arben Dervishaj dhe Mirel Mërtiri.
Për inceneratorin e Fierit janë arrestuar më parë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako.
Prej pak ditësh, SPAK i dha fund hetimit edhe për inceneratorin e Elbasanit. Pas biznesmenëve Klodian Zoto dhe Steta Gugallja, të shpallur në kërkim për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, SPAK ka ngritur dyshime edhe për biznesmenin Mirel Mërtiri. Sipas SPAK, nga hetimi i rastit provohet fakti dhe krijohet bindja se Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto kanë konsumuar veprat penale të “korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, kryer në bashkëpunim dhe “pastrim i parave”.
Referuar dokumentit të siguruar nga A2 CNN, SPAK ka rënduar pozitën penale edhe për ish-deputetin Alqi Bllako. Ndonëse po qëndron në qeli si i dyshuar për inceneratorin e Fierit, Bllako dyshohet nga Prokuroria e Posaçme edhe për atë të Elbasanit. SPAK akuzon ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit për “shpërdorim të detyrës”, në bashkëpunim me ish-eprorin e tij, Lefter Koka, si edhe pesë anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit.
Burime zyrtare të SPAK nuk i dhanë përgjigje interesimit të A2 CNN nëse Bllako është marrë i pandehur për llogari të inceneratorit të Elbasanit, duke përdorur si argument sekretin hetimor. Nga ana tjetër, Prokuroria apo Gjykata e Posaçme nuk kanë njoftuar, deri më tani, caktimin e një mase sigurie ndaj biznesmenit Mërtiri. /Telegrafi/