Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi tha se ata kanë filluar bisedimet dhe takimet me partinë, Aleanca për Shqiptarët, që në zgjedhjet lokale të dalin bashkërisht.
“Siç e dini edhe ju edhe opinioni ne në prag të zgjedhjeve parlamentare realizuam një koalicion i cili në parim nënkuptonte edhe dalje të përbashkët edhe në zgjedhjet lokale. Atëherë nuk jemi marrë vesh natyrisht për detaje. Në këtë kohë përderisa kemi funksionuar si opozitë e bashkuar në parlament kemi pasur raporte të shkëlqyera, punë të përbashkët ekipore dhe mendojmë se ka plotë arsye që të shkojmë bashkërisht edhe në zgjedhje lokale”, tha kryetari i Alternativës, Afrim Gashi në emisionin “ENTER” në TV SHENJA.
Ai tha se gjasat për të pasur koalicion opozitar mes dy partive janë shumë të mëdha.
Sa i përket zgjedhjeve lokale, Gashi, tha se ata janë optimist se shqiptarët e duan një ndryshim.
“Po të mos ishte manipulimi zgjedhor, vjedhja e votës si dhe dështimi i sistemit softuerik të KSHZ-së, unë jam i bindur se sot shqiptarët me vullnetin e tyre do të përfaqësoheshin nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa”, u shpreh Gashi.
Sipas tij në çdo komunë shqiptare gjasat për të bërë ndryshimin dhe për të fituar janë shumë të mëdha.