Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë shqiptoi gjoba dhe asgjësim ushqimi në Shkup dhe Manastir

Gazetare: Ajnur Bafqari

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë Shqiptoi gjoba ndaj një mishtoreje dhe një supermarketi në Shkup, si dhe ndaj një restorani në Manastir. Arsye për këtë është ushqimi i pasigurt që është gjetur, gjatë kontrolleve inspektuese. Nga Agjencia thonë se bëhet fjalë për gjetje të ushqimit me deklarata të palexueshme si dhe moskryerje të testimeve të detyrueshme laboratorike.

“Një gjobë prej 600 euro dhe 300 euro në kundërvlerë të denarit, janë shqiptuar ndaj një mishtore në Shkup, për shkak të plasimit në treg të ushqimit të pasigurt, respektivisht ushqim me deklarata të palexueshme si dhe për moskryerjen e testimeve të detyrueshme laboratorike. Një market i njohur në Shkup, është dënuar me 1000 euro për personin juridik dhe 400 euro për personin përgjegjës për shkak të shitjes së ushqimit të pasigurt, ushqim me deklarata të palexueshme, moskryerje të testimeve të detyrueshme laboratorike“, thanë nga Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë.
Qytetarët vlerësojnë se në treg gjenden shumë produkte jocilësore, nuk ndjehen të sigurt gjatë blerjeve, prandaj janë më të kujdesshëm. Ata thonë se nëpër raftet e dyqaneve shpesh kanë hasur në produkte me afat të skaduar.

– a ju ka ndodhur të bleni ndonjë produkt me afat të skaduar ose pa deklaratë.
Po ndodh, ndodh.
-Çfarë bëni në raste të tilla?
Asgjë, nuk do ta marrim dhe kështu“, tha një qytetare.
“Me afat të skaduar, sigurisht kam blerë.
-Çfarë bëni në raste të tilla?
E kthej menjëherë, kam kuponin fiskal dhe e kthej”, tha një qytetar.
“Kemi kujdes, shohim afatet, veçanërisht kur janë produkte të mishit dhe qumështit, normalisht kemi kujdes për këtë kështuqë nuk na ka ndodhur”, tha një qytetare.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në koordinim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Inspektoratin e punës, ka kryer kontroll inspektues të jashtëzakonshëm edhe në Manastir. Në një restoran në këtë qytet, kanë gjetur mish të padeklaruar, vendosje të ushqimeve pa etiketa dhe shitje të ushqimeve të skaduara. Ndaj këtij restoranti është shqiptuar sanksion për kundërvajtje, ndërsa ushqimi i pasigurt në sasi prej 40 kilogramësh është asgjësuar./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme