Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pritur me shqetësim të thellë kërcënimin e anëtarit të Vetëvendosjes, Hysen Durmishi se kur partia e tij të vije në pushtet do t’i ngrehë zvarrë mediet.
Kjo deklaratë, për AGK-në, është e papranueshme dhe përbënë kërcënim serioz për komunitetin e gazetarëve.
“Një deklaratë e tillë nuk do të duhej të vinte në asnjë rast nga një anëtar i një subjekti politik opozitar, si dhe nga një njeri që mban post të lartë publik”, thuhet në reagimin e AGK-së.
“Njëherësh konsiderojmë se përderisa mediet janë ne shërbim të publikut, përkundër dhimbjes dhe dilemave morale që shpërfaq publikimi i materialeve te tilla sensitive, transmetimi ka qenë në interes të publikut. Si rrjedhojë mediet kanë kryer punën e tyre duke i shërbyer këtij interesi. Në këtë kohë të rëndë për familjen, kërkojmë nga të gjithë përfaqësuesit politikë që të kenë kujdes në përdorimin e gjuhës pasi në asnjë formë përmes deklaratave të tilla nuk do të mund ta përmirësojnë situatën”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Kujtojmë se anëtari i Vetëvendosjes, Hysen Durmishi, drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, ka kërcënuar rëndë mediat, siç i ka quajtur ai të pushtetit të Klanit Pronto.
“Ju media të pushtetit a po mendoni ndonjëherë që i vie fundi edhe këtij pushteti kriminal. I vie fundi edhe këtij pushteti të Klanit Pronto. Do të ju vie fundi edhe juve bashkë me ta. Mos mendoni se harrojmë. Më e pakta që duhet ta mendoni është që zvarrë do të nxjerrim e do të ju dërgojmë në burg o kriminel. Mos na lëndoni më shumë o të pështirë. Nuk ju falim kurrë kriminelë!”, ka shkruar Durmishi në profilin e tij në Facebook.
Mbrëmë, në disa media vendore u publikuan videoincizimet nga kamerat e sigurisë në Burgun e Prizrenit, ku po qëndronte në paraburgim aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari.
Familja ka thënë se është terrorizuar nga këto pamje, deri sa është ushtruar edhe padi ndaj atyre që kanë shpërndarë ato për media. Prokuroria tashmë ka nisur hetimet.
Në anën tjetër, edhe Avokati i Popullit ka thënë se është duke përcjellë me shqetësim rrjedhën e zhvillimeve të fundit, pas vdekjes tragjike të Astrit Deharit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, raporton Koha.net.
Sipas këtij institucioni, “mosrespektimi i dhimbjes së familjes Dehari, me deklarata kontradiktore nga zyrtarë të autoriteteve shtetërore, si dhe rrjedhja dhe zbulimi i xhirimeve nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, në kohën kur ka ndodh vdekja e Astrit Deharit, paraqesin shkelje sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, por gjithashtu janë shkelje të rënda të etikës profesionale”.
Astrit Dehari vdiq, tash për tash, në rrethana të paqarta. Rezultatet e para të raportit të autopsisë flasin për vdekje nga asfiksia, e ato përfundimtare ende nuk kanë dalë. Dehari po mbahej në paraburgim si i dyshuar për sulm me armë ndaj Kuvendit të Kosovës, bashkë me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së. Dy prej tyre mbeten në paraburgim, e pesë në arrest shtëpiak.