Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), përmes njoftimit, ka reaguar lidhur me procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, duke vlerësuar se ai është haptazi i komprometuar.
Sipas reagimit, procesi nuk i plotëson standardet minimale të transparencës, barazisë dhe rregullsisë procedurale, përmes të cilave duhet të rekomandohen emrat për Bordin e RTK-së, raporton Zeri.info.
“Ne, të poshtëshënuarit, pas monitorimit të procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së, vlerësojmë se ky proces është haptazi i komprometuar.
Prandaj rekomandojmë që kandidatët e përzgjedhur nga Komisioni Ad Hoc të mos procedohen për votim në seancë plenare”, thuhet në reagim.
Po ashtu, në reagim përmendet edhe klima konfrontuese gjatë zhvillimit të procesit, ku disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas monitoruesve, kanë pasur qasje të papërshtatshme ndaj vëzhguesve të procesit.
Sipas AGK-së, për tetë pozita të lira në Bordin e RTK-së kanë aplikuar gjithsej 75 kandidatë, ndërsa intervistat janë zhvilluar vetëm në dy ditë, me procesin që ka përfunduar në orët e para të mëngjesit të 17 prillit.
Një nga shqetësimet kryesore, sipas reagimit, mbetet mungesa e një metodologjie të qartë dhe transparente gjatë intervistimit dhe vlerësimit të kandidatëve.
Në fund, AGK-ja kërkon që emrat e rekomanduar nga Komisioni Ad Hoc të mos dërgohen për votim në Kuvend. /Zëri



